Kryeministri Ramush Haradinaj parasheh “varrosjen politike” të të gjithë atyre që e mbështesin korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, opsion ky i sponsorizuar nga Beogradi zyrtar.
Ai është zotuar se nuk do të lejojë të preket asnjë pjesë e territorit të shtetit nga marrëveshja që mund të mbërrihet me fqinjin verior, shkruan sot “Koha Ditore”.
Haradinaj i ka bërë këto komente pas mbledhjes së Qeverisë.
“Ideja e kufijve, e (Aleksandar) Vuçiqit, e (Ivica) Daçiqit e të tjerëve, kushdo qofshin ata, është qe një shekull. Qe një shekull gatuajnë në kuzhina të veta ide për ndarjen e tokave të shqiptarëve”, ka thënë kreu i ekzekutivit. “Është një brez tjetër. Besoj e kanë marrë vesh. S’mund t’i ndajë më askush tokat e shqiptarëve. Ata mund të bëjnë fqinjësi me shqiptarë nëse duan, por nuk mund të luajnë kufij në Ballkan. Ka përfunduar kjo”.
Në fillim të fazës finale të dialogut me Serbinë, që ka nisur një vit më parë, Kosova është përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi. Pasi qenë zhvilluar dy raunde bisedimesh mes tij dhe presidentit serb, Vuçiq, presidenti Thaçi kishte lansuar idenë për “korrigjim” kufijsh me Serbinë. Kjo shihej si eufemizëm për shkëmbim territoresh.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)