Haradinaj: Përkrahja gjermane ishte vendimtare për paqe e shtetndërtim në Kosovë

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim delegacionin e deputetëve të Parlamentit Gjerman për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, të kryesuar nga Stephan Brander.

Kryeministri Haradinaj, njëkohësisht, e njoftoi delegacionin gjerman për angazhimin e Qeverisë në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, si dhe progresin e Kosovës në rrugën euroatlantike.

“Në kohëra të vështira, përkrahja gjermane ishte vendimtare për përpjekjet e paqes dhe shtetndërtimit në Kosovë, dhe sot Gjermania vazhdon të jetë përkrahësja më e madhe e Kosovës euroatlantike, e sigurisë dhe stabilitetit të saj”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo është dëshmuar edhe me inaugurimin e parkut inovativ dhe trajnues në Prizren, hapësirën që deri dje ishte e kampit ushtarak të kontingjentit gjerman të KFOR-it, si një mundësi e mirë për rritjen e zhvillimit ekonomik.

Në takim është biseduar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, rolin e Gjermanisë në procesin e dialogut, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ndërkaq, të pranishëm ishin edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, si dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.


Ndërkohë, më pas, kryeministri Ramush Haradinaj, priti në takim një delegacion të Shoqatës Gjermane të Bizneseve Lindore, që kryesohej nga Anja Quiring, drejtore regjionale për Evropën Juglindore në Shoqatën e Bizneseve Lindore Gjermane.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Haradinaj, e ka njoftuar delegacionin e bizneseve gjermane për zhvillimet aktuale dhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e saj, duke thënë se në këtë drejtim Qeveria është duke i implementuar reformat e duhura ekonomike dhe krijimin e një ambienti sa me të favorshëm për zhvillimin e bizneseve në vendin tonë.

Temë e bisedimeve në takimin e sotëm ishte hapja e kampit Inovativ dhe Trajnues kosovar – gjerman në hapësirat e kampit të forcave të KFOR-it gjerman në Prizren, thuhet në njoftim.

“Hapja e këtij kampi do të shënojë avancim të bashkëpunimit gjermano-kosovar dhe Kosovën do ta vendos në hartën e investitorëve gjermanë, si një opsion për zhvillimin dhe shtrirjen e bizneseve të tyre”, tha kryeministri Haradinaj, gjatë takimit, citohet në komunikatën e Kryeministrisë.

Gjithnjë sipas njoftimit, pjesë e diskutimeve ka qenë edhe ideja e organizimit të një forumi ekonomik gjermano-kosovar për të prezantuar potencialet e Kosovës për zhvillim të veprimtarive ekonomike të bizneseve, ku bashkë me institucionet dhe bizneset kosovare do të prezantoheshin edhe firmat e njohura gjermane në Kosovë por edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore gjermane.

Kryeministri Haradinaj ka përmendur edhe faktin që Kosova tashmë po implementon një qasje të re dhe shumë konstruktive në raport me investitorët potencial.

Siç përcjell njoftimi nga Qeveria, përfaqësuesit e delegacionit gjerman kanë shprehur interesimin e tyre për mundësitë që ofron Kosova, duke shprehur gatishmërinë që përvojat e tyre nga vizita t’i përcjellin te firmat gjermane në mënyrë që ato të informohen sa më drejt për mundësitë që ofron Kosova për zhvillimin e biznesit.

Tema të bisedës kanë qenë edhe liberalizmi i vizave, proceset eurointegruese dhe zhvillimet tjera aktuale në vend dhe rajon.

Në takim ishin prezent edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë, Jan-Axel Voss dhe Ministra nga Kabineti Qeveritar.

Image

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme