Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kandidat i koalicionit PDK-AAK-Nisma për kryeministër të vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se prodhimet e Kosovës do të jenë konkurruese në tregun evropian dhe më gjerë.
“Nuk do të bëhen premtime që s’përkojnë me realitetin. Të gjitha parametrat për zhvillimin dhe subvencionimin e kësaj pjese të Kosovës ekzistojnë”, ka thënë Haradinaj sot në Vushtrri.
“Bujqit, prodhuesit dhe bizneset nga Vushtrria do të përkrahen fuqishëm përmes dyfishimit te fondit për bujqësi si dhe fondit për investime për sektorin privat – bizneset e vogla dhe të mesme”, është shprehur ai.
“Do të punoj krahë për krahë me bujkun, prodhuesin, ndërmarrësit e Vushtrrisë, e të gjithë Kosovës, për të gjetur zgjidhje për të gjitha problemet që rëndojnë mbi ta dhe përmes vendimmarjes së përbashkët do të ndikojmë në hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe rritjen e produktivitetit e të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve”, ka deklaruar Haradinaj.
“Prodhimet e Kosovës do të jenë konkurruese në tregun evropian dhe më gjerë”, ka premtuar ai.