Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj tha se gjendja energjetike në vend është në krizë dhe se në kohen kur e kanë marrë Qeverinë, gjendja në KEK ka qenë një bombë e kurdisur.
Ndërsa tha se që nga dita e parë e Qeverisë, iu ka qasur kësaj teme me seriozitetin më të madh, duke ditur gjendjen.
“Për dy vjet janë harxhuar rezervat e qymyrit. Nuk janë marre veprime që është dashur të ndërmerren, me mujt me mih, pra shpronësimet dhe është sjell vendi në krizë. Kur e kemi marrë Qeverinë e kemi marre bombën e kurdisur të gjendjes në energji. Kuptone këtë saktë, bombë e kurdisur e gjendjes në energji. Çka nënkupton kjo. Rezervat e qymyrit që është obligim me pas për dy vjet, KEK duhet të ketë rezerva për dy vjet, janë harxhuar për dy vjet të gjitha dhe njëkohësisht nuk është ndërmarrë veprimi i nevojshëm që me mujt jo me kriju më rezerva por me mih. Kjo ka ndodh prej Qeverisë që shkoi, prej Qeverisë Mustafa.
Prej atyre që sot e kanë gojën plot me ato që thonë”, tha Haradinaj, transmeton kp.
Ai tha se në ngritjen e çmimit ndikojnë rrethanat e krijuara, e jo ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re. Haradinaj pohoi se nuk është në rregull që KEK të importojë gjysmën e energjisë së nevojshme.
Ndërsa tha se nuk do t’i japin KEK-ut asnjë cent për import.
“Qeveria e vendit nuk do t’ia jap asnjë cent KEK-ut për importin. Ata janë kompani ata duhet të menaxhojnë këtë kohë të krizës. Të gjejnë mënyra të financimit të importit… Ata që po protestojnë sot, vërtetë i përshëndes protestuesit dhe qytetarët që po dalin në rrugë. Por mendoj që kanë qenë të fjetur për dy vite, kur janë shkaktuar dëme vendit. Dhe ky është reagim tepër i vonuar. Nuk kanë nevojë me protestu sot në kohë të kësaj Qeverie, e cila e fillon ditën me KEK dhe me gjendjen në energji dhe e mbyll ditën me KEK-un”, tha ai.
Ndërsa tha se askush nuk do të mbes pa pasoja, për gjendjen energjetike të krijuar në KEK, e të parët që do t’i vuajnë këto pasoja janë vet menagjmenti i KEK-ut.
Ministri i Zhvillimit ekonomik Valdrin Lluka, i cili njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me gjendjen energjetike në vend tha se Kosova vazhdoi ta importojë gjysmën e kapacitetit të kërkuar të energjisë.