Kreu i ekzekutivit të vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka thënë se nuk ka një datë sa i përket liberalizimit të vizave, por sipas tij, Komisioni për Demarkacionin ka ardhur me të gjeturat e veta dhe të hënën ky raport do të diskutohet në Qeveri, për të proceduar më tej.
Haradinaj këto komente i bëri në përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve lidhur me premtimin e dhënë se liberalizimi i vizave do të ndodh pas tre muajve të qeverisjes së tij.
“Ka një dinamizëm dhe javën që vjen të shohim.. Për temat që po i flasim, rend e ligj, në luftën kundër korrupsionit ju e dini që është një punë dinamike. Sa i përket Demarkacionit do të shohim se si do të procedojë javën që vjen. Komisioni ka ardhur me të gjeturat e veta”, tha kryeministri.
“Ne besojmë të hënën e diskutojmë në qeveri, pastaj e procedojmë më tutje. Nuk po jap datë menjëherë kur, por jemi në pritje të konfirmimit për heqjen e regjimit të vizave. Po presim të hënën dhe të mos bëjmë përgjigjeje hipotetike”, tha Haradinaj.