Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Dritan Demiraj.
Lajmin për këtë takim Haradinaj e ka bërë të ditur me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Sot pata kënaqësinë ta pres në një takim Dritan Demirajn, një ushtarak i shkëlqyer, aktualisht Ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Në një bisedë të hapur e miqësore, folëm për sigurinë rajonale, për detyrat e shteteve tona në lëmin e sigurisë, bashkëpunimin, si dhe ndihmesën që mund ta japë Shqipëria në anëtarësimin e Kosovës në strukturat rajonale dhe evropiane të sigurisë”.
“U dakorduam se Kosova dhe Shqipëria sot janë faktorë stabiliteti në rajon dhe se përfshirja e Kosovës në strukturat rajonale-evropiane dhe ndërkombëtare të sigurisë, veç sa e forcon bashkëpunimin dhe është në funksion të stabilitetit”, ka shkruar ai, transmeton Klan Kosova.