Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, është takuar me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Kjo është bërë e ditur nga vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se është i nevojshëm aktivizimi i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.
Haradinaj, tutje shkruan se “Shtetet e Bashkuara nuk duhet të barazojnë Kosovën me Serbinë si palë sepse orientimet tona në politikë të jashtme kanë kahe të kundërta”.
““Prita në takim Ambasadorin e SHBA-ve Z. Philip Kosnett ku diskutuam për vizitën time ne SHBA dhe takimet atje. Ambasadorit Kosnett i thash se është i mirëseardhur dhe i nevojshëm aktivizimi i SHBA-së në dialog. Përderisa Kosova stoikisht qëndron prapa SHBA-ve në të gjitha sfidat globale, Serbia vazhdon që të jetë sateliti dhe arma kryesore e Rusisë në Evropë. I paraqita Ambasadorit Kosnett nevojën për marrëveshjen finale që rezulton në njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe kjo duhet të përmbyllet sa më shpejtë”, përfundon Haradinaj.
Kosnetti sot gjatë ditës ka takuar zyrtarë të lartë institucionalë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentaren Vjosa Osmani, nga të cilët ka theksuar nevojën e heqjes së taksës.
Pas takimit me ta, ambasada amerikane njoftoi për takime tjera të Kosnettit edhe me partitë opozitare.