Ramush Haradinajt po i ngutet të marrë vendime para verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e tij si kryeministër.
Ai sot anuloi vendimin e MTI-së që obligonte kompanitë e naftës t’i pastronin rezervuarët e tyre, shkruan lajmi.net.
Siç konfirmojnë burimet e lajmi.net, vendimi pa kompetencë i Haradinajt erdhi si rrjedhojë e afërsisë së tij me kompani të ndryshme të naftës.
Ngutinë që Haradinaj e pati të marrë vendime për “shokët” e tij, nuk e pati edhe për kabinetin e ministrave.
Madje, në një mbledhje që ai e kishte mbajtur me ta, ua kishte ndaluar të gjitha vendimet deri në qartësimin e kushteve juridike.
Në këtë formë, kryeministri i dorëhequr i kishte obliguar sekretarët e përgjithshëm të mos dërojnë për nënshkrim dokumente tek ministrat.
Një gjë e tillë, kishte rrezikuar dhe rrezikon të bllokojë disa procese jetike të funksionimit të shtetit, ku përfshihen kontratat e prokurimit, vendime për krijimin e komisioneve dhe të tjera.
Madje, kontrata për furnizim me ushqim të ushtarëve të FSK-së është bllokuar nga ky vendim i Haradinajt, gjë për të cilën pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës mund të mbesin pa ushqim.
Për këtë çështje lajmi.net ka pyetur në ministrinë e Mbrojtjes por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Haradinaj dha dorëheqje më 19 korrik, pas ardhjes së ftesës nga Gjykata Speciale.
Periudha e pas dorëheqjes së Haradinajt është karakterizuar për konfuzitet politik dhe juridik, me tentativat e kreut të AAK-së për të mbajtur mbledhje të kundërligjshme të Qeverisë.
Haradinaj pas kësaj iu drejtua Kushtetueses, përgjigja e së cilës mund të zgjasë dy muaj.
Sidoqoftë, vendi pritet të shkojë në zgjedhje pasi ato të shpallen nga presidenti i vendit, me shpërbërjen e Kuvendit që do të ndodhë më 22 gusht.