Kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se ligji për “Trepçën” është çështje orësh për të nisur së zbatuari, raporton KTV.
Nga miniera e Stantërgut, kreu i ekzekutivit ka paralajmëruar masa të shpejta për të rregulluar disa prej çështjeve të mbetura pezull dhe nga të cilat varet funksionalizimi i këtij gjiganti përmes ligjit të ri.
Ai e ka konsideruar të patolerueshme kohën e humbur për t’u krijuar bordi menaxhues i ndërmarrjes.
Nga ana tjetër, Drejtori i ndërmarrjes, Ahmet Tmava ka thënë se në mungesë të bordit “Trepça” nuk ka mundur të përfitojë asgjë nga falja e borxheve.
Ndërsa, minatorët të pakënaqur me situatën në të cilën po veprojnë, kanë kërkuar veprime urgjente nga përgjegjësit.
Megjithëse u tejkalua bllokimi i Listës Serbe, e cila e humbi luftën edhe në Kushtetuese, ajo arriti të bllokonte hyrjen në funksion të ligjit të ri që e bën “Trepçën” ndërmarrje publike.