Gara për kuvendet komunale në nivel vendi mes tri partive kryesore, LVV, LDK dhe PDK është tejet i ngushtë. LVV ka 22.54%, LDK ka 22.51% dhe PDK ka 22.05% të votave.
Pas tyre radhiten AAK me 11.9%, Lista Serbe me 7.6%, NISMA me 2.5%, AKR me 1.2% dhe subjektet tjera me 9.7%.
Qytetarët e 21 komunave duhet t’iu drejtohen përsëri kutive të votimit pasi që dështuan që t’i zgjedhin prijësit e tyre këto palë zgjedhje të mbajtura më 17 tetor.
Fituesja e këtij raundi të zgjedhjeve është Lista Serbe, e cila fitoi nëntë komuna nga 10 qe garonte. E dyta është Partia Demokratike e Kosovës e cila në këto zgjedhje fitoi pa balotazh në Skenderaj, Mitrovicë, Ferizaj e në Han të Elezit.
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka fituar në Pejë e Lipjan, ndërsa po aq komuna sa LDK-ja ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila arriti ta mbajë pushtetin në Suharekë e Deçan.
Kurse, fituesja e zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur që ta mbajë asnjë komunë në të cilën ajo qeveriste.