Në prag të një debati që do të jetë nesër në Kuvend lidhur me demarkacionin e ri mes Kosovës dhe Malit të Zi, presidenti Hashim Thaçi ka shkruar në profilin e tij në fb se demarkacioni nuk është problem për vendin.
Sipas Thaçit ky debat është shumë i nevojshëm për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë nevojë për transparencë.
Postimi i Thaçit
Debati rreth kufijve të Republikës së Kosovës me Malin e Zi është një temë e nevojshme për rritje të transparencës para qytetarëve, debat ky që i është mohuar padrejtësisht qytetarëve të Kosovës tash e një vit. Ftoj dhe besoj që ky debat të sjellë më tepër unitet politik dhe qytetar. Çështja e demarkacionit si problem nuk ekziston. Përcaktimi i kufijve është një nga kriteret e shtetësisë dhe është çështje e rëndësisë së veçantë për integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës duhet të përmbush këtë kriter dhe të bëjë përkufizim të qartë të territoreve të saj me të gjitha vendet me të cilat kufizohet.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore ka përfunduar punën e shënjimit të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me Malin e Zi. Kjo ka rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi vitin e kaluar. Të gjitha referencat faktike dhe juridike tregojnë qartazi se me këtë marrëveshje Republika e Kosovës nuk humb asnjë pëllëmbë të territorit të saj. Burimi i dokumentacionit është në vazhdimësi dhe zyrtar nga viti 1974, 1988, 2008 e deri më 2015.
Ratifikimi i marrëveshjes së kufirit shtetëror mes dy vendeve tona është ne interesin e dy vendeve dhe popujve tanë, të fqinjësisë së mirë, frymës euroatlantike, si dhe është jetik për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. HTH