Pas Tiranës, ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shqipëri presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e kaloi në qytetin e Shkodrës. Fillimisht atij ju rezervua një pritje nga qytetarja e parë Voltana Ademi.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Ademi dhe Thaçi të shoqëruar nga delegacionet e tyre folën kokë më kokë për lidhjet e hershme që Shkodra ka me Kosovën, raporton oranews.
Që nga falenderimi për pritjen që ju bë kosovarëve gjatë luftës, e deri tek bashkëpunimet e fundit me disa komuna në fushën kulturore dhe ekonomike ishin temat e bisedës mes Presidentit dhe Kryebashkiakes.
Më pas ata ju drejtuan sallës së Këshillit bashkiak ku Presidentit kosovar ju dorëzua titulli “Qytetar Nderi” i akorduar nga ky Këshill me motivacionin për kontributin e dhënë për pavarësinë e Kosovës, rolin negociator në proçesin integrues dhe si faktor stabiliteti.
Presidenti Thaçi zgjodhi që bashkë me falenderimet dhe vlerësimin e lartë për rolin që Shkodra ka patur në ngjarjet e shënuara për kombin, të mos anashkalojë as plagën e bashkimit dhe atë të kombëtareve të futbollit, pasi Kosova luan me 6 tetor në “Loro Boriçi”.
Një vizitë ata ja rezervuan edhe një prej pasurive të mëdha të kombit, fototekës “Marubi”, ku u njoh me trashëgiminë e fotografisë shqiptare.
Vizitën në Shkodër, Presidenti i Kosovës e mbylli me vendosjen e kurorave me lule pranë bustit të shënjtores “Nënë Tereza”, patriotit “Luigj Gurakuqi” dhe “Isa Boletini”.