Haskuka flet për prishjen e koalicionit LVV-LDK në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se tashmë është prishur koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhje Demokratike të Kosovës në Prizren.

Haskuka ka thënë se pas zhvillimeve të fundit, mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë LVV-LDK dhe krijimit të një qeverie të re, e ka të pamundur vazhdimin e koalicionit, transmeton, Telegrafi.

“Dua t’ju njoftoj që si pasojë e zhvillimeve të fundit, mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë LVV-LDK dhe krijimit të një qeverie e cila është në kundërshtim me vullnetin demokratik të shprehur më 6 tetor, unë e kam të pamundur vazhdimin e koalicionit në Komunën e Prizrenit.

Pas zhvillimeve në Asamblenë Komunale në shkurt të këtij viti, unë jam munduar që të gjej mënyra për të vazhduar koalicionin, duke besuar që rruga në shtetndërtimin e Kosovës dhe krijimin e institucioneve përgjegjëse që bazohen në profesionalizëm dhe promovojnë demokracinë dhe zhvillimin, mund të bëhet vetëm me një bashkëpunim të sinqertë ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por besimi dhe pritjet e mia si shumë qytetarë të Kosovës nuk u realizuan”, ka shkruar ai.

Haskuka ka thënë se “koalicionet duhet të bazohen në besimin e ndërsjellë dhe në këtë aspekt pas zhvillimeve të fundit nuk ka mbetur hapësirë për të vazhduar rrugëtimin tonë”.

I pari i Prizrenit, ka falënderuar drejtorët komunalë nga LDK dhe asamblistët e LDK-së, për bashkëpunimin.

“Dua të falënderoj drejtorët komunalë nga LDK-ja dhe asamblistët e LDK-së për bashkëpunimin e deritanishëm dhe punën në përmbushjen e programit qeverisës në nivelin lokal.

Shpresoj që forcat demokratike brenda LDK-së që nuk janë të shantazhuara, do të vazhdojnë përpjekjet e tyre që LDK-në ta kthejnë në një parti ku vendos demokracia, e jo një grusht njerëzisht që ndoshta nga interesat e tyre apo nga shantazhet janë të lidhur me fatin e një Presidenti, që për të shpëtuar veten po e katandisë Kosovën me Listën Serbe”, thotë ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme