Kryetari i ri i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, e bëri një kthim mbresëlënës të rezultatit nga raundi i parë në balotazh në zgjedhjet lokale që u mbajtën në tetor 2017. Me 5,000 vota më pak se Shaqir Totaj i PDK-së në raundin e parë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje shkaktoi një tërmet zgjedhor, duke i dhënë fund dekadës së dominimit të PDK-së në qytetin e dytë më të madh të Kosovës.
Kur e fitoi kryesinë në këtë qytet historik para dy muajve, Haskukaj tashmë kishte filluar t’i përcaktonte disa pengesa të cilat kryesisht ishin pasoja të qeverisjes së kaluar. Megjithatë, ai është këmbëngulës dhe i përkushtuar ta vazhdojë punën e tij dhe t’i përmbushë premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
44-vjeçari thekson se pavarësisht vështirësive dhe roleve të disa individëve në administratat e kaluara, partnerët e tij në koalicion, LDK-ja dhe Nisma, kanë filluar t’i përshtaten kulturës së re të qeverisjes së tij.
Për Haskukën, profesor universitar i psikologjisë, politika mbetet aktivitet i përkohshëm; një përpjekje për të sjellë ndryshime para se t’i kthehet punës së tij profesionale.
Në një intervistë të gjerë me K2.0, Haskuka flet për diversitetin kulturor të Prizrenit, për hapat konkretë që i ka bërë në dy muajt e parë, për mbështetjen e komunës për qytetin e Prizrenit dhe fshatrat përreth, si dhe për perspektivën e tij për mandatin katërvjeçar si kryetar i kësaj komune.
K2.0: Ju keni filluar mandatin dy muaj më parë. Cilat janë sfidat dhe problemet që janë më ndryshe në krahasim me atë se si i shihnit gjërat dy muaj më parë?
Mytaher Haskuka: Lidhur me problemet e komunës nuk kam pasë najfarë pritshmërie që janë gjërat e lehta. Shpesh kemi thanë: “çka nëse fitojmë”? [qesh]. Sa për ilustrim, përnjëmend e kemi ditur që do të jetë vështirë, por disa vështirësi nuk i kam pritë. Komuna ekziton që nga viti 1999 në aspektin e qeverisjes lokale, si shtet jemi që 10 vjet edhe kam mendu që komuna ka me pasë memorie institucionale.
Kur po themi memorie institucionale, çështjet si — fakti që komuna paraprake ka fillu një projekt e ne [tani] me e ditë se ku qëndron projekti, si kanë shku gjërat e çka duhet me u vazhdu. Këtu ka probleme të mëdha. Edhe pse është bë bartja e përgjëgjësisë, bartja e materialeve, të dhënave, arkivit — është shumë problematike. Komuna e Prizrenit nuk ka ndonjë “fajlling elektronik” për marrëveshjet që i ka komuna, projektet që i ka komuna me organizata të ndryshme. Si për shembull, po na ndodh po vjen një organizatë joqeveritare dhe po na thotë “Kemi pasë një marrëveshje me komunën, kjo ka qenë shifra, na keni paguar vetëm këtë pjesë e duhet me e kry edhe pjesën tjetër”.
Pas dy muajsh, çfarë ju frikëson apo ju bën me skepticizëm ta shihni fundin e mandatit?
Pritjet janë shumë të mëdha. Ka edhe shumë pritje jorealiste nga qytetarët në përgjithësi. Brenda periudhës dymujore ne kemi pasë takime me minimum dy mijë persona. Edhe tash kam një listë me 100 kërkesa për takime. Disa janë OJQ, disa biznese, e disa qytetarë e aktivistë. Shumica e tyre kanë halle të drejtpërdrejta që mendojnë se munden me u zgjidhë menjëherë se tash kanë një derë të hapur. Por në anën tjetër kemi problem me buxhet e kufizime buxhetore. Sa ma shumë po takohem me njerëz po rriten kërkesa për takime. Pra, po kam frikën e menaxhimit të kohës dhe kërkesave.
Njëra nga pikat që më ka demoralizuar këta dy muaj është numri i njerëzve që kanë kërku punësim. Unë gjatë fushatës askujt nuk i kam premtu punësim. Komuna nuk punëson. Kam pasë kërkesa të bëj premtime të tilla, por nuk kam ba. Kryetari i komunës nuk mundet me ba punësime por një perceptim i tillë është kriju në politikë që komuna me u pa si vend për punësim. Unë ju kam thanë nuk është në rregull sepse nuk mund të punësoj. Ju kam thanë poashtu se kur ka konkurse, le të aplikojnë sepse kam me i siguru për transparancë edhe trajtim të barabartë.
Nga problemet me qeverisjen e kaluar ju së fundmi keni folur për evidentimin edhe të shumë padive ndaj komunës që mund të shkojnë deri në 50 milionë euro — që është më shumë se buxheti i Prizrenit. Si e shihni këtë?
Ky është një problem i madh. Ne kemi ditë se komuna ka këto probleme me shumë individë, por nuk kam pritë që ka me pasë 3,700 padi ndaj komunës. Edhe nëse e shohim totalin, shifra mund të shkojë deri në 50 milionë euro. Do të thotë, vetëm njëra prej padive është 9 milionë euro. Nëse e humb komuna atë padi, dëmin duhet me e pagu komuna.
Ju keni pasur disa prioritete në programin tuaj. A mos kjo gjendje, ashtu siç po e paraqitni, ju ka rrezikuar përbushjen e premtimeve dhe prioriteteve që i keni pasur gjatë fushatës?
Ne kemi me vazhdu me prioritetet që i kemi pasë. Qëllimi kryesor i prioriteteve ka qenë që të hapet komuna dhe të jetë një komunë e hapur ndaj qytetarëve, ku dihet çka ndodh në komunë dhe në të njëjtën kohë ku ka një transparencë radikale. Një komunë me një arsim dhe shëndetësi kualitative. Një komunë e cila ka qasje te qytetarët dhe është një qytet i hapur në aspektin e infrastrukturës dhe, e fundit, ku ka një zhvillim ekonomik. Të gjitha i kemi këto si prioritete por në aspektin e arritjes së objektivave tona po e shohim se do të na duhet pak ma shumë punë në disa çështje dhe kemi nevojë me hargju ma shumë energji.
Zakonisht kur bëhet tranzicioni prej një qeverisjeje në tjetrën zakonisht gjithnjë ka shumë ankesa të llojit: ‘jemi të zhytur në borgje’ dhe ‘nuk do t’i arrijmë prioritetet për shkak të qeverisjes së kaluar’. Por a mund të jetë kjo formë justifikimi për mospërmbushje të prioriteteve?
Jo, unë kam me i arrit prioritetet brenda mandatit katërvjeçar. Unë mendoj se 95 për qind të zotimeve që i kam dhënë kam me i përmbush. Normal që vështirë me i arrit qind për qind sepse ndodh që ndonjërën mos me e realizu, por çështja kyçe është që pa marrë parasysh sfidat, unë mendoj që shumicën e zotimeve do t’i arrij.
E për t‘i arritur zotimet, natyrisht se duhet edhe përkrahja nga partnerët e koalicionit, Nismës Socialdemokrate, LDK-së dhe partive më të vogla boshnjake dhe partisë turke. LDK-ja kohë më parë ka qenë në bashkëqeverisje, poashtu edhe anëtarë të Nismës si pjesë e PDK-së kanë marrë pjesë në qeverisje. Atëherë, çka do të thotë për ju kur kritikë të ndryshëm ju shohin me skepticizëm se ju po qeverisni bashkarisht me eksponentë që kanë qeverisur më parë? Dhe si sigurohet një qeverisje ndryshe me ata që ju i keni quajtur ‘degradues’ të Prizrenit?
Unë mendoj se njeriu vetvetiu nuk lind i mirë ose i keq. Unë i besoj vetes prandaj kam lidh koalicion partneriteti me parti të tjera. Unë mendoj se ndryshimin mundemi me e arrit më shpejt kur jemi të bashkuar. Si individë është më vështirë me e arrit ndryshimin sesa si kolektiv. Në Prizren, fatkeqësisht edhe partitë në opozitë kanë pasë marrëveshje të ndryshme për çështje të ndryshme që e kanë degraduar qytetin.
SI KRYETAR KOMUNE DUHET ME I DELEGU DETYRAT EDHE KOHË PAS KOHE ME I KONTROLLU SE A ËSHTË DUKE SHKUAR GJITHÇKA NË RREGULL. NORMAL SE KA ME PASË KRITIKA.
Por tash ne duhet me i marrë edhe anët pozitive. Unë me partnerët e koalicionit edhe nga Nisma edhe nga LDK-ja mendoj se i kemi marrë njerzit më të mirë në dikasterët e ndryshëm. Një prej kërkesave të mia ka qenë me pasë përfaqësim gjinor, pra më shumë gra në qeverisje dhe këtë nuk e kam arrit. Por mendoj që brenda kabinetit me pasë më shumë gra. Por çështja kyçe që dua ta them është se tash kemi planet e punës për çdo drejtori dhe secila ka planet dhe objektivat që duhet me u arrit brenda një viti. Në të njejtën kohë, do t’u kërkoj llogari të gjithëve pa përjashtim.
A keni parë gatishmëri këta dy muaj nga partnerët e koalicionit që t’i përshtaten modelit tuaj qeverisës?
Mendoj se ky është qëllimi kryesor — që bashkarisht me punu. Normal, në aspektin e qasjes dhe kulturës ndaj qeverisjes duhet kohë. Ne po i vëmë kushtet po nuk mundemi me kontrollu 100 për qind. Si kryetar komune duhet me i delegu detyrat edhe kohe pas kohe me i kontrollu se a është duke shku gjithçka në rregull. Normal se ka me pasë kritika. Kërkoj nga qytetarët të jenë kritikë dhe të kërkojnë kualitet dhe të kërkojnë më shumë por në të njejtën kohë mos të jenë jorealistë. Unë sigurisht se duhet me pasë besim tek ata me të cilët punoj por edhe me i kontrollu. Por, në momentin që shohin që nuk lëshon pe dhe je në drejtimin e caktuar, atëherë përshtaten.
Na tregoni një shembull konkret se si ua keni imponuar një kulturë tjetër qeverisëse partnerëve të koalicionit?
OK, atëherë nuk po flas me emra konkretë, por po ju tregoj një rast. Unë inspektoratit i kam kërku ta implementojë ligjin ashtu si duhet. Edhe inspektorati i ka ndalu ndërtimet në disa pjesë të qytetit që kanë qenë pa leje ose me tejkalim të lejes. Njëri nga partnerët e koalicionit ka ardhë tek unë edhe më ka thënë “Ky na ka ndihmu në fushatë e kështu me radhë”, edhe unë i thashë nuk ka hiç rëndësi nëse më ka ndihmu sepse ai e ka tejkalu lejen. Nuk është diçka që lëshoj pe. Të kishte qenë edhe vëllai im ashtu kisha vepru. Kjo është logjika e qeverisjes së barabartë. Në aspektin e proceseve, për çdo drejtori do të kemi procese standarte të operimit, të cilat mundësojnë depolitizimin e sistemit dhe një sistem të hapur të vendimmarrjes.
Dhe si i keni raportet me opozitën, me PDK-në?
PDK-ja është partia më e madhe në Prizren dhe si e tillë duhet me pasë përgjegjësi. Si pozitë nuk kanë tregu përgjegjësi por si opozitë po shpresoj kanë me ndërru qasje. Si ilustrim, kompjuteri në zyrën e kryetarit nuk punon, këtu ka mobilje e fasada të bukura por kur nuk punon kompjuteri, gjendja nuk është e mirë. Kompjuteri është mjet pune e jo luks. Veturat i kemi [të vitit] 2017 ndërsa kompjuteri, që është gjë bazike, është i vitit 2006 dhe nuk punon. Kjo tregon mendësinë e qeverisjes e kjo duhet me ndryshu.
Derisa keni mosmarrëveshje me PDK-në, Vetëvendosje ka pësuar një çarje të brendshme në nivelin qendror. Sa i kanë shkaktuar kokëçarje nivelit lokal problemet e partisë suaj?
Problemet e Vetëvendosjes në Prishtinë nuk kanë qenë aq të përhapura në Prizren. Ose nuk kemi pasë probleme të mëdha këtu por është fakt se ndikon negativisht. Vetë fakti që kemi probleme të tilla në parti ndikon keq në moralin e njerëzve, në elanin për punë por edhe në perceptimin e përgjithshëm ndaj Vetëvendosjes, dhe ti nuk mund të arrish ndryshim kur ke një strukturë të fragmentuar. Kjo paraqet problem por deri tash kemi arritur që të gjitha mospajtimet t’i menaxhojmë brenda Vetëvendosjes. Duhet me punu shumë ma shumë me njerëz, me asambleistët tanë por edhe me të tjerët.
Unë jam pozicionuar në këtë debat. Nuk jam pajtuar me kushtëzimin se Albin Kurti nuk duhet të kandidojë dhe më është dukur i padrejtë. Nëse dikush mendon se është më i mirë duhet me e paraqit kandidimin, janë procese që i kemi brenda Vetëvendosjes dhe me vazhdu me procedura demokratike.
Të kthehemi prapë në Prizren dhe te ju. Përveç se jeni kryetar i Prizrenit, së fundmi ju jeni zgjedhur edhe anëtar i kryesisë qendrore të Vetëvendosjes. Në anën tjetër, ju jeni edhe profesor në Universitetin e Prishtinës, në departamentin e Psikologjisë. Vetëvendosje në vazhdimësi ka kritikuar politikanët që kanë mbajtur pozita të shumta derisa kanë ushtruar funksione politike. Si ia dilni në të njejtën kohë të jeni kryetar i Prizrenit, anëtar i kryesisë së përgjithshme të Vetëvendojes dhe profesor universitar dhe si e argumentoni faktin se ndërsa në të kaluarën ju keni kritikuar një model të tillë të vepruarit në politikë, tash veproni ngjashëm?
Së pari, puna e anëtarit të kryesisë nuk është ndonjë pozitë. Është njëherë në muaj ndonjë takim e që nuk besoj se është diçka problematike. Përndryshe, e kam paraqitur si problem njëherë por pasi më sugjeruan se nuk është një kërkesë e madhe ndaj kohës sime, edhe e pranova. Po të më thoshin se ka takime çdo javë, atëherë nuk kisha pranu por pasi është një gjë një ose dy orë në javë, ose një ditë në muaj ajo nuk paraqet problem.
Në të njejtën kohë, si profesor, unë kam biseduar me departamentin dhe kam kërkuar që të tërhiqem. Por, për shkak të problemeve me akreditim që ka departamenti unë kam mbetë aty. Kërkesa ime është që ta ngrij postin aty. Kërkesa e tyre ka qenë me e mbajt këtë për tema të magjistraturës ngase studentëve që bëjnë magjistraturën u nevojiten profesorë që do t’i mbikëqyrin temat e tyre të magjistraturës dhe mundem me thanë që edhe kjo nuk më kërkon shumë kohë në aspektin profesional.
UNË KAM THANË QË ÇDO LAGJE E QYTETI DHE FSHATRAVE KA ME PAS UJË POR NUK ARRIHET AJO BRENDA DY MUAJVE.
Përndryshe, edhe kur kam qenë deputet vetëm një lëndë kam pasë në semestër dhe tani edhe si kryetar edhe atë do ta kaloj te asistentët. Shikoni, ligjëratat unë ashtu-kështu i pata transferu. Pra, puna ime në universitet ka qenë në mbikëqyrje të temave të diplomave të masterit edhe aty shumicën e kohës kemi, si me thonë, me mentorimin dhe ajo nuk paraqet shumë problem për mua sepse ajo është diçka që mundem me e lexu në kohën e lirë e me u dhanë komente studentëve. Poashtu, nëse të gjthë e përdorin këtë liri që e ofron ligji, atëherë nuk e shoh problematike që me vazhdu me mentoru tema të masterit.
Por është edhe çështje morale që Vetëvendosje gjithnjë e ka theksuar. Nuk mund të kesh më shumë se një punë derisa ka aq shumë të papunë me diploma. Kjo ka qenë ajo që Vetëvendosje ka thënë dhe nuk po flasim këtu vetëm për pjesën e ligjit. A nuk do të duhej të ishit shembull në këtë aspekt?
Shiko, dy sene janë këtu. E para, a po e kryen punën me rregull, dhe së dyti menaxhimi i mirë i kohës. Nëse e vërej se ka probleme me komunë atëherë unë e lë. Por, e kam pa që mentorimi i studentëve nuk më merr kohë dhe prandaj vazhdoj. Këtë e bëj të shtunën apo të dielen dhe është punë në aspektin profesional. Është pyetje me vend, por kyçe është se a më dëmton mua në aspektin e punës. Unë po ju siguroj se qe dy muaj, jam deri kah ora 7 ose 8 duke punu në zyrë.
Kishim vazhduar me planet tuaja për ndërlidhjen e ekonomisë së fshatrave të Prizrenit, që janë të njohura për bujqësi dhe blegtori, dhe qytetit. Duke folur me aktivistë e qytetarë të Prizrenit, ata thonë se ekziston një shkëputje mes ekonomisë së fshatit dhe të qytetit. Produktet serbe dhe turke dominojnë tregun në Prizren. Vetëvendosje ka në program promovimin e prodhimeve vendore. E di se e keni pasur në plan ndërtimin e gjashtë tregjeve mobile nëpër lagje të qytetit. A keni tjetër plan konkret si ta ndryshoni këtë rrjedhë dhe t’i sillni produktet e fshatrave në qytet?
Njëri prej zotimeve ka qenë qasja e tregjeve të bujqve. Këtu janë dy opsione. Një treg më të madh në qytet dhe tregje të vogla nëpër lagje. Kështu, momentalisht po punojmë në të dyjat. Përveç kësaj kemi pasur takime me CARISTAS [Humanitarian aid, International Development and Social Service] dhe TIKA [Turkish Cooperation and Coordination Agency] që me i plasu prodhimet tona edhe jashtë vendit. Këto dy institucione janë të interesuara sidomos me ndihmu në transportin e frutave malore dhe ne jemi duke kërkuar mundësi që bujqit tanë të kenë edhe treg të jashtëm përveç atij të brendshëm. Me CARITAS-in jemi dakordu që komuna ka me dhanë dyqind mijë euro ndërsa CARITAS-i 2 milionë euro për rritjen e hapësirave ku prodhohen frutat e imëta malore që kanë një vlerë të shtuar në ekonomi. Besoj se duhet me e rrit kapacitetin e me u ndihmu më shumë bujqve të Prizrenit.
A ka politika të tjera si ndihmesë për fshatrat e Prizrenit sepse edhe në bazë të votave që figurojnë në KQZ, vota për ju ka ardhë prej qytetit ndërsa PDK-ne e kanë votuar më shumë nga fshtrat…
Vendimi im i parë si kryetar ka qenë rregullimi i një kulmi të një shkolle fillore në Lubishtë të Hasit që ka kushtu 18,000 euro dhe para dy jave shkolla edhe punimet ishin kryer. Për një muaj ish rregullu puna që nuk është rregullu që një vit. Prandaj nuk ka rëndësi kjo punë dhe qytetarët janë të barabartë. Tre apo katër vendimet e para kanë qenë për fshatrat e Prizrenit. Faktikisht për mua si qyteti si fshatrat janë komunë e Prizrenit dhe aty nuk ka asnjë dallim. Ku ka kërkesa aty do të ketë edhe investime. Nganjëherë qytetarët janë jorealistë. Unë jam qe dy muaj si kryetar edhe dojnë me e zgjidhë problemin e ujit menjëherë. Unë kam premtu që çdo lagje e qytetit dhe e fshatrave ka me pasë ujë por nuk arrihet ajo brenda dy muajve. Ka njerëz të tillë që thonë ‘ahh, ok, e mori Vetëvendosje, për dy muaj kanë me e ndreqë ujin’.
Por megjithatë edhe ju ndoshta keni dhënë premtime jorealiste. Po ua përmendi një të tillë. Keni thënë se brenda 6 muajve do ta fuksionalizoni parkun ekonomik në Prizren. Në cilën fazë keni arritë kur mbeten edhe katër muaj deri te afati që ju keni dhënë?
Jemi duke punuar në këtë. Tash, në aspektin infrastrukturor i kemi përgaditë të gjitha çështjet. Javën e kaluar pata takim me KEDS-in që me siguru shpërndarjen e rrymës në zonën ekonomike, pa fonde të komunës dhe ka gatishmëri me investu drejtpërdrejt. Ne kemi vazhdu me tenderimin e punëve të tjera, kanalizimit për ujëra atmosferike, kanalizmin fekal, për rregullimin e rrugëve, etj. Por sot e gjetëm problemin që shumica e pronës aty është pronë qeveritare, nuk është pronë e komunës.
E ju kur e keni dhënë si premtim nuk keni bërë hulumtim paraprak?
Sipas informatave që i kemi pasë në media edhe asaj që ju kemi referu në uebsajtin e Komunës së Prizrenit .
Rrjedhimisht, po del se nuk mundet me u kry zona ekonomike pas këtyre problemeve?
Mundet me u zhagit ma shumë se 6 muaj ngase na vyn që kjo pronë me kalu në pronësi të komunës në mënyrë që me u kriju kushtet atyre që dojnë me investu në zonën ekonomike.
Një pyetje tjetër, por tash me karakter etnik. Prizreni njihet si qendër ku bashkëjetojnë shumë komunitetete. Kohëve të fundit keni qenë të zëshëm kur është hequr flamuri turk, madje edhe ju kanë etiketuar gjatë fushatës si “turqeli”. Si e keni parë ju këtë dhe çfarë do të thotë të jeni kryetar i Prizrenit nga kjo prizmë?
Të drejtën me thanë, unë e dua Prizrenit ashtu siç është. Pse kam hy në politikë kam hy sepse është bë degradimi i Prizrenit jo vetëm në aspektin kulturor e të trashëgimisë arkitektonike që është shkatërruar por edhe në aspektin e vlerave që i ka qyteti. Dhe kjo ka qenë arsyeja që jam kyçur në politikë. Në atë aspekt, ketu në zyrë flas bosnjakisht, turqisht, shqip, anglisht. Me këdo që ka ardhë këtu jam mundu me folë sa ma drejtëpërdrejt në gjuhën e tyre – ashtu siç është Prizreni.
NUK MUNDEM ME SIGURU SEPSE ËSHTË PROBLEM. SHKATËRIMI ËSHTË VËSHTIRË ME E NDALU.
Në atë aspekt, Prizreni gjithmonë ka qenë një qytet ku njerëzit nuk janë shiku nga përkatesia etnike por a është njeri i mirë, i ndershëm, punëtor. Gjeneratat e mëparme kur kanë diskutu kurrë nuk e kanë shiku prejardhjen etnike apo vendbanimin. Besoj se kjo është traditë që duhet me vazhdu dhe që e dallon nga të tjerët – bashkëjetesa etnike dhe ajo fetare.
Përveç trashëgimisë kulturore, Prizreni njihet edhe për degradimin e objekteve me vlerë historike. Cilat janë hapat konkretë që keni ndërrmarrë për ta parandaluar një praktikë të tillë?
Para se me i marrë çelsat e kryetarit të komunës ka ndodhë që është shkatërruar edhe një shtëpi e vjetër me vlera të trashëgimisë kulturore. Menjëherë e kam thirrë drejtorin e inspektoratit që ka qenë i PDK-së edhe kam kërku me shpjegu çka po ndodhë. Ai më ka thënë se nuk është më kompetent. Kabineti i ri ka shku te inspektorati edhe ka dërgu procesverbal në polici dhe gjykatë dhe është kërku që m’u marr hapa konkretë ndaj atyre që e kanë bë këtë akt.
A siguroni se nuk ka me pasë shkatrrime të tjera të objekteve të trashëgimisë kulturore?
Nuk mundem me siguru sepse është problem. Shkatërimi është vështirë me u ndalu. Së pari ia vënë zjarrin, e lë me u shkatërru edhe në fund mbesin vetëm muret edhe aty vetëm hyn bageri edhe i shkatërron. Problemi është se ndërtimet pa leje i ndal se janë afagjatë, po shkatrrimin e ke problem.
Qeverisja e kaluar ka pasë probleme të shpeshta me komunitetin artistik. Cilat janë raportet që i keni vendosur ju me njerëzit e kulturës?
Unë edhe gjate fushatës kam pasë takime me rrjetin e organizatave kulturore në Prizren, për përpilimin e planit dhe të zotimeve për kulturë. Një pjesë të gjendjes e kam marrë prej tyre edhe bashkarisht e kemi ba planin. Pasi jam ba kryetar kam pasë takime të tjera se si me e vazhdu punën më tutje. Për shembull, organizatat kulturore janë duke ndihmu me ba rregullativa për subvencione për kulturë e sport. Janë duke e ndihmu Drejtorinë e Kulturës për iniciativa të ndryshme.
Pra, ata e kanë zyrën e hapur me këqyr me i zgjidhë problemet që ata i kanë. E me Dokufestin menjëherë kemi nënshkru një marrëveshje, si për shembull, me Drejtorinë e Arsimit që Dokufesti me u organizu nëpër shkolla. Mësim përmes filmave dokumentarë. Faktikisht do të shfaqen filma të ndryshëm për çështje sociale. Pra, ne si qeversije po i vendosim në praktikë ato çfarë i kemi biseduar më herët me ta.
Ju poashtu keni premtuar se do të reduktoni qarkullimin e veturave në qytet. Çfarë konkretisht jeni duke bërë në këtë drejtim dhe ku do të bëhen parkingjet e tjera që i keni premtuar?
Së pari, jemi duke ba përgaditjen për me ba analizën e mobilitetit të qytetit. Në momentin që bëhet analiza e mobilitetit do t’i shohim alternativat. Idetë preliminare që me pasë transport publik, është njëra nga idetë, pra transport publik falas brenda rrethit që kish me reduktu qarkullimin brenda rrethit dhe parkingjet në hyrje të qytetit. Me i lanë veturat në parking dhe falas me pasë qasje në transport publik.
Pjesa e qarkullimi të qytetarëve është edhe teleferiku për në kala, një projekt që kushton 3.5 milionë euro dhe është i financuar kryesisht nga Qeveria e Kosovës dhe një pjesë nga Komuna e Prizrenit. A e keni ndaluar këtë projekt?
Momentalisht jemi në fazat e ndalimit te projektit. Unë edhe në fushatë e kam thanë pa e analizu mirë që është i dëmshëm.
Pse është i dëmshëm? Për shembull, mund të shërbejë për personat me aftësi të kufizuar..
Ka mënyra të tjera të cilat do t’i propozonim. Për shembull, transporti mund të organizohet nga pjesa e nënkalasë, që është në rrugë. Dhe minimum me pasë dy ose tri herë gjatë ditës autobus apo minibus për transport. Problemi i teleferikut është se nuk ka marrë leje nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, nuk ka marrë lejen e Këshillit për Trashëgimi Kulturore dhe nuk ka marrë leje përkatëse nga Ministria e Kulturës, dhe e vetmja leje është ajo e urbanizmit.
UNË TASH PO TË TREGOJ SE NËSE NUK MUNDEM ME ARRIT SHUMICËN E ZOTIMEVE, NUK DO TË KANDIDOJ.
Kemi me e ndalë dëmin. Teleferiku shkatërron Qendrën Historike të Prizrenit. Krijohet një objekt i cili është jashtë kontekstit — një arkitekturë e viteve të ‘70-a apo të ‘80-a. Stacionin e lartë në kala e ka për 200 persona. Do të thotë, kalaja siç është me e pasë një objekt për 200 persona. Pra, 200 persona me karrige e tavolina me u ulë. Faktikisht, një sallë dasmash në kala. Mendoj se e shkatërron pamjen e qytetit edhe duhet me e ndalë.
Në arsim ju keni prezantuar modelin e shujtave, çerdheve te reja, që ngjason ne modelin e qeverisjes së Shpend Ahmetit në Prishtinë. A vazhdoni me e pasë një plan të tillë?
Ne kemi premtuar katër çerdhe. Sivjet do të nisim dy por ka mundësi t’i nisim edhe tri çerdhe. Me shujtat do të fillojmë në fund të vitit apo në janar të vitit të ardhshëm. Jemi poashtu të interesuar të furnizojmë shkollat me laboratorë të ndryshëm, me dollapë e inventarë të tjerë. Komuna e Prizrenit nuk ka asnjë çerdhe publike. Ne mendojmë se formula ma e mirë e çerdheve të reja do të ishte me bazë në komunitet.
A e synoni edhe një mandat nëse nuk arrini këto objektivat?
Unë tash po të tregoj se nëse nuk mundem me e arritë shumicën e zotimeve, nuk do të kandidoj. Ashtu-kështu, personalisht kurrë nuk e kam mendu veten si kryetar komune por rrethanat e kanë pru këtë situatë. Nuk mendoj se kam ambicie me vazhdu me politikë. Jam në politikë vetëm me ndiku në ndryshim edhe me u largu nga politika e me vazhdu në fushat e tjera, si profesionist. Nuk e shoh që politikanët duhet me qenë tërë kohën në politikë. Kjo nuk është ide e mire. Çdo njeri duhet me hy në politikë me ndryshu diçka dhe me e vazhdu jetën e tij në profesionin e tij. K
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është realizuar në gjuhën shqipe.