Korrupsioni ka prekur pothuajse të gjitha nivelet e pushtetit lokal dhe qendror, ndërkaq vlerësimet tregojnë po ashtu se shëndetësia, arsimi, gjyqësori, sektori i energjisë minierave janë më të prekurat nga kjo dukuri negative, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Havolli, para pak kohe keni marr detyrën e drejtorit të agjencisë. Çfarë mund të bëjë Agjencia Kundër Korrupsionit për të parandaluar dukurinë e korrupsionit në Kosovë?
Shaip Havolli: Agjencia Kundër Korrupsion, siç e dini, ka mandatin për hetimin, parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër korrupsionit, e po ashtu edhe për edukimin zyrtarëve të lartë në fushën anti-korrupsion. Tash ka një muaj e gjysmë që kam marrë këtë pozitë. Puna ime është kryesisht e fokusuar në aspektet e hetimeve, por edhe në aspektin e çështjeve legjislative. Siç e dini, agjencia ka dhjetë vite që është formuar, por kemi probleme sa i takon çështjes së kornizës ligjore, sepse në shumë ligje dhe rregullore me të cilat punon agjencia ka një kohë të gjatë që janë implementuar kështu, por që tani planifikohet që të bëhet një rishikim i përgjithshëm i kornizës ligjore, me qëllim që të jemi sa më efikas në luftën kundër korrupsionit.
Po ashtu, fokus të veçantë do t’i japim edhe parandalimit në fusha të ndryshme, kryesisht në fushën e parandalimit të prokurimit publik dhe në fushën e konfliktit të interesit. Siç e dini, është një projekt i Komisionit Evropian i cili po merret me rishikimin e bazës ligjore të Agjencisë Kundër Korrupsion. Deri kah fundi i vitit do të dalim me rekomandime ne si institucion, po edhe vet drejtuesit e këtij projekti nga Bashkimi Evropian.
Radio Evropa e Lirë: Në raportin e fundit të Komisionit Evropian ritheksohet se korrupsioni është një nga problemet kyçe në Kosovë. Në bazë të të dhënave që ju posedoni, në cilat institucione është më e theksuar kjo dukuri?
Shaip Havolli: Sipas raporti të [Komisionit Evropian] por edhe sipas vlerësimeve të mëhershme të Agjencisë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, vlerësimet e rrezikut më shumë janë në fushën e shëndetësisë, arsimit, gjyqësisë, sektorët e energjisë dhe minierave, po ashtu edhe në nivelin lokal dhe atë qendror.
Pra, do të thotë ka vlerësime se në të gjitha nivelet rreziku i korrupsionit është prezent.
Besoj se edhe vet Raporti i Progresit, i viti 2015, tregon se ka një progres të theksuar sa i takon luftimit dhe parandalimit të krimit ekonomik, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pra, megjithatë, institucionet e zbatimit të ligjit kanë arritur që në vitin 2015/ 16 të kenë disa suksese që janë për t’u vlerësuar, si puna e prokurorisë, ashtu edhe e agjencisë dhe e policisë. Prandaj duhet të jemi optimistë, sepse këtë vit dhe vitin që vjen, institucionet e zbatimit të ligjit veç kanë progres dhe kanë filluar që të ngrijnë nivelin e hetimeve të ngritjes së aktakuzave dhe siç e dini kemi disa aktakuza edhe për zyrtarë të lartë, duke u nisur nga ministra, zëvendësministra, drejtorë, deputetë e personalitete të ndryshme.
Ka një zhvillim pozitiv sa i përket luftimit dhe parandalimit të korrupsionit. Jam i bindur që vitet që do të vinë institucionet e zbatimit të ligjit dhe agjencia, si pjesë e tyre, do të shënojnë progres.
Radio Evropa e Lirë: Thuhet se burim i pashtershëm i aferave korruptive në Kosovë janë tenderët. A ka ndonjë zgjidhje për monitorimin dhe mbikëqyrjen më efikase për parandalimin e korrupsionit përmes tenderëve?
Shaip Havolli: Siç e dini, problem kryesor i vazhdueshëm dhe që ka qenë burim i korrupsionit është fusha e prokurimit. Pra, agjencia ka mandatin, e ka një divizion, i cili e trajton çështjen e prokurimit në fushën e parandalimit të korrupsionit.
Edhe këtë vit, por edhe vitet e mëhershme, agjencia ka monitoruar një numër të madh të proceseve të prokurimit publik, ku ka dhënë opinionin lidhur me shkeljet që janë gjetur dhe te shumica prej tyre autoritetet kontraktuese kanë arritur ose t’i rishpallin, ose t’i anulojnë këto aktivitete, që janë dyshuar për shkelje. Është vlerësim i imi – prej që kam ardhur në agjenci – që ka filluar një edukim pak më i mirë i zyrtarëve të prokurimit. Ka një zhvillim pozitiv. Edhe vet OSHP-ja, edhe vet KRPP-ja, kanë filluar t’i rishikojnë çështjet e proceseve të tenderëve, kështu që, mund të them që ka një lëvizje pozitive në aspektin e parandalimit dhe të luftimit, si dhe në aspektin e shmangieve të këtyre dukurive dhe shkeljeve.
Besoj që edhe agjencia ka dhënë disa opinione, me dhjetëra opinione, sa i përket kësaj fushe. Kështu që, ne me siguri do të dalim vitin e ardhshëm edhe me raportin e agjencisë. Ka me dhjetëra procese të aktiviteteve të prokurimit që i kemi dhënë opinionet për t’i ndaluar, për shkak të dyshimeve për shkelje të ligjit mbi prokurimin publik.
Radio Evropa e Lirë: Agjencia kundër korrupsionit për vite ka deklaruar se ka probleme me mekanizmat e drejtësisë, lidhur me kallëzimet e iniciuara. Shumë nga këto kallëzime janë hedhur poshtë, si të pa baza. Si do të vepronit ju tash?
Shaip Havolli: Shpesh Agjencia ka kritikuar gjyqësorin dhe prokurorinë, sepse kallëzimet penale të Agjencisë po hidhen poshtë nga ana e prokurorisë dhe gjyqësorit. Janë evidente këto probleme, edhe pse prej kur kam ardhur kam filluar ta trajtoj çështjen se pse po hedhen këto kallëzimet penale.
Siç e dini, agjencia e ka një mandat të hetimit administrativ dhe kryesisht kallëzimet penale i dërgon në Prokurori me dyshim të arsyeshëm, pasi që edhe vet legjislacioni nuk ia lejon një fuqi ekzekutive, që të merr sa më shumë prova materiale gjatë hetimit. Kështu që, me ato prova që i ka gjatë hetimit, konform mandatit që e ka, i dërgon ato në Prokurori. Nganjëherë prokuroria kërkon prova tjera, ndërsa në disa raste i hedh ato poshtë. Pastaj, ka raste kur ato hedhen poshtë edhe pa bazë.
Mirëpo, me marrjen e detyrës, unë kam pasur një takim edhe me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin – takim që ka qenë publik – dhe kemi trajtuar çështjen e kallëzimeve penale, por, njëkohësisht jemi dakorduar se në cilat fusha do të fokusohet më shumë Agjencia. Jemi dakorduar që do ta kemi fokusin në fushën e prokurimit publik, e po ashtu kemi marrë përsipër që disa raporte të Auditorit Gjeneral t’i trajtojë Agjencia, kryesisht në fushën e shkeljeve administrative.
Kështu që, besoj që tash e tutje do të kemi një koordinim më të afërt me Prokurorinë dhe policinë, edhe gjatë hetimeve të kallëzimet penale do të diskutohen dhe do të merren mendime edhe nga prokurorët kompetent, me qëllim që në të ardhmen këto kallëzimet penale të mos hedhen poshtë aq lehtë. Janë edhe disa raste që janë duke u trajtuar, që pritet të bëhen publike me publikimin e raportit të Agjencisë.
Radio Evropa e Lirë: Kur i keni dërguar kallëzimet e fundit në Prokurori, sa kanë qenë ato?
Shaip Havolli: Edhe gjatë mandatit tim janë dërguar kallëzimet penale në Prokurori. Se sa janë dërguar, për momentin nuk do të flas për shifra dhe numra, pasi vet ligji për agjencinë e parasheh që vetëm atëherë kur të bëhet publik raporti mund të jepen shifrat dhe më shumë detaje. Por, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, i kemi disa raste në proces, për të cilat presim sukses.
Radio Evropa e Lirë: A janë të nivelit të lartë?
Shaip Havolli: Me siguri që do të keni informatë nga vet Prokuroria lidhur me këto raste. (REL)