Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit, ka thënë se rrethanat në të cilat vdiq Dehari duhet të hetohen në mënyrë të pavarur e të besueshme. Haxhiu ka thënë se këto hetime nuk mund t’i bëjnë institucionet e kapura pasi që sipas saj do ta nxjerrin rezultatin që e duan vetë .
“Ky kuvend ka kohë që nuk përfaqëson interesat e qytetarëve por të deputetëve, të bizneseve etj”, ka shtuar Haxhiu.
Haxhiu ka akuzuar Sylë Hoxha dhe Metush Biraj duke thënë se Hoxha dhe Biraj nuk duhet të merren me hetimin e Deharit sepse sipas saj hetimi i tyre nuk mund të jetë as kredibil e as i paanshëm.
Më tej Haxhiu ka thënë se Sylë Hoxha nuk ka njoftuar se kush e ka telefonuar dhe kush e ka njoftuar për vdekjen e Deharit, ajo ka thënë se ende nuk dihet se ku vdiq Dehari rrugës apo në spital.
Haxhiu ndër të tjera e ka pyetur Ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe Ministrin e Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, se pse nuk është shkarkuar nga puna drejtori i burgut në Prizren? E as drejtori i policisë së Prizrenit.