Haxhiu: Nuk do të ketë shkëmbim territoresh, Asociacioni e vetmja mënyrë që veriu të jetë brenda juridiksionit të Kosovës

Publicisti Baton Haxhiu ka thënë se fundi i vitit 2018, ose më së largu marsi i vitit 2019, do të nxjerr një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, përafërsisht në muajt tetor-nëntor përfundon ky proces dhe ngiten aktakuzat e Gjykatës Speciale. Nuk besoj që Bashkësia Ndërkombëtare do të lejojë paqartësi politike që do ta shtyjnë nënshkrimin e marrëveshjes”.

“Varianti i interpretueshëm është se nëse je anëtar i OKB-së, kufijtë i ke të garantuar, prandaj normalizimi mund të ndodhë edhe pa njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Modeli i dy Gjermanive e ka një lloj garancie të shteteve tjera. Këto garanci të shteteve tjera përfshijnë edhe garancitë e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe SHBA – me insistimin e Serbisë mund të jetë edhe Rusia”.

“Ende nuk dihet çfarë do t’i kërkohet Kosovës si kompensim. Shpesh është përfolur shkëmbimi territorial, por nuk do të ndodhë. Çështja e shkëmbimit territorial është e mbyllur dhe as nuk mund të hapet. Shkëmbimi territorial është gati i pamundur, 99% nuk mund të ndodhë”, ka thënë Haxhiu, njofton Klan Kosova.

Ai ka pohuar se do të vijë një moment kur Kosova dhe Serbia do të flasin për kufijtë.

“Gjatë gjitha takimeve e kemi një njeri që përmend nonstop ndarjen – ai është Ivica Daçiq. Tjetri që ecë përmes rrugës së dialogut është Aleksandar Vuçiq. Ata të dy mendojnë njësoj, por i kanë ndarë rolet. Tash për tash ky variant nuk është prezent dhe për faktin që Bosnja ka një problem shumë të rëndë, sepse modeli saj territorial është i komplikuar dhe nëse e njëjta ndodh në Kosovë do të ishte fatale për gjithë rajonin”.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Haxhiu ka thënë se duhet të kryhet më së largu deri në verë.

“Asociacioni duhet të kryhet deri në gusht. Ai do të jetë i obligueshëm që Kosova të hyjë në institucionet ndërkombëtare dhe në OKB”.

“Asociacioni në variantin më të vrazhdë ka ekzistuar edhe më herët, sepse është e vetmja mënyrë për ta futur veriun në kontroll territorial. Asociacioni është e vetmja mënyrë që pjesa e veriut të jetë brenda juridiksionit të Kosovës”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme