Haxhiu: Të pashmangshme protestat dhe organizimet popullore për të ndalur Thaçin

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë të pashmangshme protestat dhe organizimet popullore për të ndalur presidentin Hashim Thaçi që të dialogojë për territorin e Kosovës me Serbinë.

Duke folur pas vendimit për shtyrje të seancës së jashtëzakonshme për të votuar ekipin qeveritar për dialogun me Serbinë, Haxhiu ka thënë se kjo shtyrje tregon se pozita po bën pazare për të dëmtuar Kosovën.

“E dimë se gjithmonë kanë bërë pazare. Kjo është qeveri e pakicës dhe duhet sa më parë të largohet. Duhet angazhim opozitar e popullor për ta larguar nga pozita. S’kemi luksin që të lejojmë të bëjnë Haradinaj e Thaçi pazare me vendin. Duke marrë parasysh skandalet e përditshme e kemi obligim ta largojmë sa më parë këtë qeveri të pakicës”, ka thënë ajo. “Siç po shkon situata, protestat dhe organizimet popullore janë të pashmangshme. Kemi parë kuvendin duke nxjerrë vendime të dëmshme andaj shpresat nuk mbesin këtu, por pashmangshëm duhet të ketë organizime”.

Haxhiu ka thënë se audioincizimi i fundit i publikuar, ku flitej se zëvendëskryeministri Fatmir Limaj u ka kërkuar ryshfet tre milionë disa investitorëve gjermanë për t’u ofruar mundësinë e investimit në Kosovë, lidhet me caktimin e tij në krye të ekipit qeveritar për dialogun.

“Që nga paslufta, figurat që kanë dalë edhe nga lufta, janë përfshirë në afera të ndryshme e më pas kanë pranuar pozicione e që edhe sot po tentojnë ta emërojnë Limajn në këtë pozitë për shkak të aferave. Jo rastësisht ishte edhe skandali i fundit për 3 milionë eurot e Limajt”, ka shtuar ajo duke deklaruar se nuk do ta pranojnë këtë ekip.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme