Partia më e madhe në Prishtinë, LDK, ende nuk e ka përcaktuar kandidatin për Kryetar. Edhe pse janë përmendur disa emra ende asnjëri prej tyre s’e ka marrë mbështetjen e Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa për t’ia mësyrë garës për të parin e Prishtinës.
Gara për Prishtinën pritet të fillojë në vjeshtë. Ndërkohë që vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka deklaruar kandidatin për kryetar.
Në LDK janë përmendur emrat e Arban Abrashit, Haki Demollit e Ismet Beqirit e Avdullah Hotit. Por udhëheqësit e kësaj partie pritet ta befasojnë opinionin sa i përket çështjes së kandidatit për kreun e Prishtinës. Madje nuk përjashtohet mundësia që për kandidat të Prishtinës nga radhët e LDK’së të kandidojë edhe ndonjë person i cili nuk i përket strukturave të partisë.
Kështu ka bërë me dije të hënën për Express, Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Ai ka thënë se kandidati për Prishtinën nga ana e kësaj partie do të bëhet publik në muajin qershor.
“…ende LDK’ja nuk ka vendosur për Prishtinën. Por në një proces të hapur deri ka fundi i muajit Qershor do të jetë i zbardhur emri i kandidatit për Prishtinën. Nuk përjashtohet asnjë njeri për garën e Prishtinës”, ka thënë ai.
Haziri është shprehur se asnjë kandidat nuk është i përjashtuar nga gara për kryetarë të Prishtinës.
“Unë personalisht nuk e favorizojë askënd, të gjithë janë të barabartë. Nuk është i përjashtuar askush nga gara për Prishtinës. Kandidat i besueshëm mundet me qenë edhe ndonjë person i cili është jashtë strukturave të LDK’së që mund të vie nga ana e shoqërisë civile. Opsioni i cili do të dal fitues në kandidaturë është opsioni i cili do ta fitojë Prishtinën”, ka deklaruar nënkryetari i LDK’së.
Ndërkohë që sa i përket deklaratave se kandidati potencial për Prishtinën duhet të jetë nga Llapi ose Gollaku. Haziri është shprehur se LDK nuk është parti krahinore.
“.. LDK nuk është parti krahinore, LDK është parti kombëtare, dhe çdo emër i cili përputhet me kriteret ideologjike të LDK’së, i pranon vlerat kombëtare dhe është i gatshëm që t’i impelementoj politikat e LDK’së në Prishtinë është person i mundshëm për kandidaturën e mundshme”, ka thënë Haziri.
Sidoqoftë, në Prishtinë, deri më tash dihet se Shpend Ahmeti do të rikandidojë për të udhëhequr edhe për një mandat qytetin.
Prishtina prej pasluftës është udhëhequr prej LDK’së, përkatësisht Ismet Beqirit deri më 2007, kurse prej Isa Mustfës deri më 2013, kur fitoi edhe Shpend Ahmeti.