Haziri: Rugovën më së paku e kanë dashur funksionarët

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, është mbajtur akademi përkujtimore në shënim të shkuarjes në amshim të presidentit historik, Ibrahim Rugova, e cila është mbajtur në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2017”.

Pos nikoqirit, kreut të Gjilanit Lutfi Haziri, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë djemtë dhe vajza e presidentit Rugova, ministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve tjera e qytetarë të shumtë.

“Ibrahim Rugova është krijuesi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, i cili jo vetëm që shënoi kthesën historike për të realizuar të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, por shënoi edhe kthesën dhe orientimin drejt aspiratave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci. Sot ne kemi nderë të madh që në këtë akademi marrin pjesë edhe trashëgimtarët e presidentit, Mendimi, Uka dhe Teuta. Ne nuk jemi ndarë asnjëherë nga vepra, qëllimet dhe kërkesat e tij, asnjë ditë, asnjë minutë”, ka thënë Haziri në fjalën hapëse.

Ai ka vënë në spikamë se presidenti Rugova i pajtoi dy herë shqiptarët e Kosovës në momentet vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

“Duke qenë lider politik, ai arriti që në jetën e tij të shkurtër të pajtoj dy herë shqiptarët dhe falë këtij pajtimi, ne arritëm qëllimin tonë final. E para, ishte lëvizja e tij politike LDK, që është lidhja e dytë më e madhe pas Lidhjes së Prizrenit, e cila i pajtoi dhe i fali shqiptarët pavarësisht çfarë statusi kanë pasur gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Ai, i rreshtoi të gjithë bashkë në një ushtri të paqes dhe solidaritetit, drejtë qëllimeve që shqiptarët të jetojnë të lirë dhe të pavarur”.

“E dyta, në kohën kur strukturat e LDK-së, përkundër pjesëmarrjes në struktura ushtarake dhe në luftën çlirimtare direkt, u gjendën në një atak dhe një kërcënim për shpërbërje për shkak të ideologjisë dhe angazhimeve që kishin në vitet 90-ta. Dhe, ishte ai që i pajtoi sërish gjatë dhe pas luftës çlirimtare, jo duke u tërhequr, por duke ecur përpara ngadal dhe i qetë. Këto dy pajtime të mëdha janë themelet e lirisë së Kosovës që nuk mund t’i shemb askush”, ka nënvizuar Haziri.

“Rugovën më së paku e kanë dashur funksionarët”

Kreu i Gjilanit është shprehur se sot njerëzit betohen se kanë qenë shumë afër tij, lojalë dhe i kanë qëndruar besnikë, por, sipas tij, për të gjallë të Rugovës, nën lidershipin e tij, vetëm një kategori e kanë dashur Ibrahim Rugovën: populli shqiptar i Kosovës.

“Më së paku e kanë dashur funksionarët”, tha Haziri.

“Ky përvjetor kërkon që amaneti i tij për LDK-në e fortë tolerante, europiane dhe për LDK-në e para në Kosova, të bëhet realitet. Ky përvjetor kërkon që 10 vjet pasi LDK ka dalë prej renditjes së parë, të punojmë shumë që ta kthejmë të parën, në mënyrë që e ardhmja të jetë më e garantuar. Ne i kemi mbetur borxh që të vazhdojmë rrugën e tij, që ta kemi një shtet të fortë, paqësor dhe që shqiptarët të jetojmë bashkë dhe me mirëqenie sociale. Shpirti i tij bënë dritë në Republikën e Kosovës”, theksoi kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së.

Në emër të kryeministrit Isa Mustafa, ka folur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, cili tha se duke nderuar dhe kujtuar presidentin, ne respektojmë trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme dhe vizionin që e solli lirinë, pavarësinë dhe demokracinë.

“Presidenti Rugova na la shembullin e tij të njeriut dhe liderit. Ai u nderua dhe respektua nga të katër anët e botës falë mençurisë dhe vizionit, të cilin e shquanin me udhëheqje të popullit të tij. Ne ishim me fat që në rrethana kritike patëm një udhëheqës politik e shpirtëror, që me urtësinë, përkushtimin, vendosmërinë dhe durimin, solli lirinë, pavarësinë dhe demokracinë”, ka thënë ministri Abrashi.

Përndryshe, manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2017” vazhdon me festivalin pesëditor të dramës shqipe, i cili nis më 23 janar, në ora 19:00, në teatrin e qytetit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme