Ai tha se Koalicioni i Besës dhe Shpresës për tri orë e rrëzoi Kadri Veselin
Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherit nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka përcjell sot mesazhe të fuqishme kundër ish-kandidatit për kryeministër nga PDK-ja, Kadri Veseli.
“Ne efektin e parë e kemi realizu. Në ora nëntë e kemi nënshkru marrëveshjen LDK-AKR, e në ora 11:45 Kadri Veseli ka heqë dorë prej kandidaturës për kryeministër. Pra, për tri orë e kemi rrëzu. Unë po i tregoj atij se neve nuk mundet me na idhtu askush më 11 qershor, por do të festojmë kryelartë fitoren plebishitare”, ka thënë Haziri, në tubimin që sot LDK e mbajti në Gjilan me strukturat e saj, ku të pranishëm ishin edhe kandidatët për deputet nga radhët e LDK-së nga Gjilani dhe Koalicioni i Besës dhe Shpresës.
Haziri theksoi se “koalicioni rival i yni nëse mendon që korbin e zi me na e shitë për korb t’bardhë, atëherë le ta harrojnë se ajo kohë ka kalu”.
Haziri ka përmendur edhe faktin se pjesa më e madhe e listës së koalicionit kundërshtar nuk mund të marrin viza sepse janë në listë të zezë nga shumë shtete.
“Ata nuk mund ta çojnë vendin drejt zhvillimeve euro-atlantike sepse atyre nuk ia çelë derën askush”, tha Haziri.
Haziri ka lavdëruar kandidatët nga lista e koalicionit LDK-AKR, duke thënë se janë njerëz me kredibilitet të lartë, e me duar të pastra dhe që do ta çojnë Kosovën përpara në të gjitha aspektet.
Tubimin e ka përshëndetur anëtari i kryesisë qendore të LDK-së, Lutfi Zharku, i cili ka uruar përfaqësim sa më të madh të kandidatëve për deputet nga Gjilani në Parlamentin e Kosovës.