
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Ndërmarrja Hekurudhat e Maqedonisë “Transport” nënshkroi marrëveshje për huamarrje prej gjithsej 21 milionë eurove nga Banka Zhvillimore. Qëllimi i këtyre fondeve është blerja e lokomotivave të reja elektrike për rritjen e transportit të mallrave dhe udhëtarëve. Siç u tha në nënshkrimin e marrëveshjes, ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të komunikacionit hekurudhor.
“Qëllimi i këtij furnizimi është i qartë, të rritet numri i lokomotivave në dispozicion, të rritet kapaciteti për transportimin e mallrave dhe me këtë të rriten të ardhurat dhe stabiliteti financiar i Hekurudhave të Maqedonisë “Transport”. Hekurudha përsëri duhet të jetë shtytës i eksportit dhe logjistikës dhe jo gryka e ngushtë e ekonomisë”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
“Me nënshkrimin e marrëveshjes për huamarrje krijohet bazë për rinovimin e parkut vozitës dhe avancimin e sigurisë dhe efikasitetit të komunikacionit hekurudhor. Paralelisht përgatitëm planin aksionar dhe biznes planin të cilat definojnë kornizën për reforma, menaxhim më të mirë dhe mirëmbajtje afatgjate. Implementimi i tyre fillon në kuartalin e parë të vitit 2026”, tha Dejan Koshutiq – Drejtor i HRMV Transport SHA Shkup.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, njoftoi se nga 11 trenat që tani janë në dispozicion, shtatë prej tyre janë të vjetra.
“Ky proces do të thotë furnizim të pesë lokomotivave elektrike bashkë me pjesët rezervë. Me vendosjen e pesë lokomotivave në funksion tani kemi gjithsej 11 lokomotiva por vetëm katër janë të reja. Por me këto pesë lokomotiva të reja elektrike do të ndryshojë e gjithë infrastruktura hekurudhore por do të zhvillohet edhe korridori 10. Po punojmë për trenin e qytetit në Shkup ku do të lëvizin këto lokomotiva elektrike e gjithashtu do të ndalojmë trenat me naftë”, u shpreh Aleksandar Nikolloski – Ministër i Transportit.
Ky projekt përfshinë edhe vendosjen e sistemit bashkëkohor ERP për menaxhim më të mirë të resurseve, rritje të efikasitetit operativ dhe nivel më i lartë i menaxhimit korporativ në sektorin hekurudhor. Vjetërsia mesatare e lokomotivave dizel në Maqedoni është 60 vjet. /Alsat.mk



