Hendeku i shpresës

Autor: Besnik Pula

Publikimi i inçizimeve të bisedave telefonike të “shefit” Adem Grabovci teksa “kryen punë” për regjimin e PDK-së gjatë viteve të shkuara na dha edhe një pamje të shëmtuar nga brenda se si funksionin regjimi klientelist i PDK-së. Dëgjuam për konkurse (ose “kunkurse”) të kurdisura, përzgjedhje militantësh partiakë nëpër borde të agjensive e ndërmarrjeve publike, “luajtje koqesh” nga kryeministri i atëhershëm me ambasadën amerikane, si dhe disiplinimi i deputetëve në Kuvend për votimin e ligjeve të kërkuara nga kjo e fundit. Për ata që kanë ndjekur zhvillimet në politikën kosovare, këto zbulime vetëm konfirmojnë ato që janë dyshuar – për të mos thënë edhe ditur – se si funksionon sistemi i kriminalizuar dhe klientelist në Kosovë. Pyetja është se si, përkundër publikimit të fakteve në këto biseda telefonike, indinjata qytetare mbetët e kufizuar në segmente të vogla, e papërfillshme në masa më të mëdha? Me fjalë të tjera, si mund të tolerohet nga qytetarët një regjim i cili haptazi vepron në kundërshti me çdo normë demokratike, parim kushtetues e ligj penal?
Qëndrueshmëria politike e një regjimi mund të shpjegohet nga shumë faktorë: nga kohezioni i grupeve sunduese, resurset materiale dhe organizative që ato kontrollojnë, si dhe legjitimiteti dhe përkrahja ndërkombëtare që ka. Kjo bën që regjime politike të mbijetojnë edhe atëherë kur nuk gëzojnë mbështetjen e shumicës së popullatës që e sundojnë. Ky është rasti i shumë regjimeve autoritare dhe diktatoriale. Në një situatë si kjo, nga shumica e qytetarëve regjimi përjetohet si imponim nga sipër, i cili mund të ngjallë edhe rezistencë nga qytetarët por edhe shpërthim popullor kundër regjimit nëse krijohet situata (shih p.sh. rastin e “pranverës arabe”). Në raste si kjo, mund të themi se një regjim i tillë që mbijeton përkundër mosmbështetjes popullore gëzon imunitet politik.
Mirëpo në rastin e Kosovës, problemi duket tjetërfare. Po, është e vërtetë (mjerisht) se regjimi politik në Kosovë gëzon mbështetje ndërkombëtare (për shkaqe që mund t’i shtjelloj në ndonjë rast tjetër), kontrollon mjete materiale e organizative, kontrollon media, kontrollon gjykata e prokurori, pra gëzon një imunitet të mjaftueshëm politik që e lejon që edhe skandalet si këto të fundit t’i lë që gradualisht të ikin nga vëmendja e publikut dhe të kalojnë në harresë. Ajo që habit në këtë situatë është indiferenca e shumë qytetarëve kundrejt skandaleve të tilla. Ato tashmë nuk bëjnë përshtypje. Një protestë e organizuar në Prishtinë me rastin e skandalit të inçizimeve nxori në rrugë vetëm disa mijëra vetë. Çka është puna këtu?
Pyetja bëhet më interesante kur merr parasysh gjendjen tepër të pakënaqur të opinionit publik kosovar. Sondazhi i rregullt i UNDP-së “Pulsi Publik” tregon për pakënaqësi të mëdha të qytetarëve në shumicën e fushave. Në prill 2016 (kur është bërë sondazhi i fundit), mbi 70% të të anketuarve ishin të pakënaqur me drejtimin politik të vendit. Shumica (49%) ishin deklaruar që nuk pajtohen me mënyrën e zgjedhjes së Hashim Thaçit president, ndërsa vetëm 35% ishin dakord me procesin. Vetëm 18% ishin të kënaqur me kryeministrin. Në nivele të ngjashme të ulëta qëndrojnë Kuvendi (17%), gjykatat (18%) dhe prokuroria (17%). Në nivel të njëjtë qëndrojnë bindjet për gjendjen ekonomike. Vetëm 23% kishin pikëpamje të favorshme për të ardhurat e familjes së tyre gjatë tre muajve të ardhshëm, kurse vetëm 14% e vlerësonin si të favorshme gjendjen e tyre të punësimit gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Image

Krejt këto tregojnë për një gjendje të mjerë të popullatës, që do të duhej të përkthehej në një gatishmëri të madhe për revoltë, sikur në rastin e skandaleve si këto të fundit. Pse nuk ndodh kjo?
Besoj se janë dy arsye pse nuk shohim revoltë më të madhe. Arsyeja e parë ka të bëjë me natyrën e skandalit. Në njëfarë forme, siç e ceka edhe më sipër, inçizimet e bisedave private në mes të protagonistëve të pushtetit, ndërsa mund të jenë o zbavitëse, o tmerruese për nga përmbajtja (varësisht si shihen), nuk zbulojnë asgjë të re. Sondazhi i UNDP-së tregon se mbi 80% të kosovarëve besojnë se punësimi në sektorin publik bëhet mbi baza jo-meritore. Se për marrjen e ndonjë pozite brenda ndonjë organizate publike ose në administratë duhet të kalosh përmes ndonjë “kunkursi” partiak, ky perceptim dominon tash e sa kohë. Shumica e qytetarëve nuk skandalizohen nga zbulimi i fakteve që vetëm e vërtetojnë këtë perceptim.
Arsyeja dytë është më brengosëse dhe ka të bëjë me besimin e qytetarëve në vetë mundësinë për ndryshim. Mendoj se ky është problemi më kritik i cili nuk po adresohet sa duhet nga të pakënaqurit dhe ata që kundërshtojnë regjimin, përfshirë edhe opozitën. T’i kthehemi edhe një herë sondazheve. Ato japin një tablo interesante dhe kundërthënëse për disponimin e qytetarëve në lidhje me mundësinë e ndryshimeve politike. Përderisa pakënaqësia është e madhe, gatishmëria për të protestuar është shumë e ulët. Në prill, vetëm çereku i të anketuarve ishin të gatshëm të dalin në protesta. Ishte ky niveli më i ulët në dy vitet e fundit (p.sh., në nëntor të 2010-ës gatishmëria për protesta ishte 60%). Rënia më e madhe shënohet në mes të shtatorit 2015 dhe prillit 2016. Kjo tregon për një dëshpërim gradual por të sigurt të popullatës në mundësinë që protestat të sjellin ndonjë ndryshim. Me një fjalë, kemi një hendek midis pakënaqësisë dhe gatishmërisë për ta synuar ndryshimin e gjendjes përmes protestave.
Por nuk përfundon paradoksi me kaq. Përderisa me një shumicë të pakënaqur por jo të gatshme për protesta, deri në 73% të të anketuarve janë në rregull me protestat që opozita i organizon kundër qeverisë. Me një fjalë, qytetari mesatar (në kuptimin statistikor te fjalës) është ky: i pakënaqur, jo i gatshëm të protestojë, por dakord me protestat që i organizon opozita. A është ky qytetar i tillë që pret që të tjerët t’ia rregullojnë vendin për të?
Po dhe jo. Po, në kuptimin ordiner që shumica nuk janë kundër që të tjerët të provojnë të bëjnë ndryshime me protesta, por ata nuk janë të gatshëm që vetë të marrin pjesë në to. Jo, sepse kjo gjoja dëshirë që të tjerët ta bëjnë ndryshimin, në të vërtetë shpreh një hendek midis pakënaqësisë dhe besimit në mundësinë e ndryshimit. Qytetari mesatar dëshiron ndryshim, por nuk ka besim se ky ndryshim mund të arrihet. Ja edhe një matës për këtë: shumica (42%) thotë se nuk beson se mund të bëhen ndryshime përmes votës. Por vetëm 20% shprehnin se nuk do të votojnë fare, kurse shumica (42%) kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Hendeku na shfaqet sërish: nuk besoj se vota sjell ndryshim, ama do të votoj dhe madje as nuk dua të pres deri më 2018! Këtë do të quaja “hendeku i shpresës” – dëshira për ndryshime është e madhe, por mungon besimi (mbase edhe vetë-besimi) se ky ndryshim mund të arrihet.
Kjo na çon te thelbi i problemit. Sfida në Kosovë nuk është mungesa e fakteve për skandale, keqbërje, korrupsion, dështime politike e ekonomike, keqqeverisje, zhvatje, mashtrim të qytetarëve, dhunim e shtypje. Qytetarët nuk do të mobilizohen duke i skandalizuar ata – skandalizimi i përgjithshëm ka arritur në shkallën e një topitjeje morale. Qytetari i Kosovës nuk ka nevojë të bindet se sa e keqe është gjendja. Ai këtë tashmë e din, dhe e din shumë mirë. Sfida në Kosovë është mbushja e hendekut midis dëshirës së shumicës që gjërat t’i shohin duke shkuar në një kah tjetër, me besimin në fuqinë e tyre se ky ndryshim mund të bëhet. Qytetari i Kosovës kërkon që dikush t’i japë shpresë dhe besim. Dhe kjo kërkon një qasje tjetër, dhe një dialog tjetër, ndër ata që e duan ndryshimin, opozitë e të pavarur.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme