Heshtje absolute në BDI lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila abrogoi nenet që në regjistrimin e fundit, popullsia ishte ndarë në rezident dhe jorezident.
Në vend se të flasin për këtë çështje, BDI shmang mediat, ndërsa ekspontentë të ndryshëm të integristëve nëpërmjet rrjeteve sociale tentojnë të devijojnë këtë temë, nëpërmjet spinëve duke folur për përqindjen dhe jo për ndarjen e popullsisë, apo fshirjen e shqiptarëve, ashtu siç partitë në pushtet akuzojnë BDI-në.
Zv.kryeministri i Parë Izet Mexhiti sot edhe një herë akuzoi BDI-bë se ka fshirë shqiptarë nga qytete e fshatra duke thënë se derisa kryhej ky operacion, BDI merrej me operacione të pasurimit dhe nuk u interesonte asgjë ndërsa tani siç thotë ai përmes patriotizmit të rrejshëm në Facebook përpiqen të mbrojnë rrenat e tyre.
“Sot do t’ju njoftojmë me tradhtinë kombëtare në rrethin e Strugës, respektivisht:
Në fshatin Ladorisht, sipas regjistrimit të vitit 2021 janë evidentuar 1.344 banorë mbi moshën 18 vjeç, kurse ne zgjedhjet e vitit 2024 kanë votuar 2.397 persona. Pra, kanë votuar 1000 persona më tepër se sa janë regjistruar. Në fshatin Veleshtë, janë regjistruar 2.196 persona mbi moshën 18 vjeç, ndërsa kanë votuar 2.377, rreth 200 më shumë se sa janë regjistruar. Si dhe në fshatin Livadhi, numri i votave në zgjedhjet 2024 është më i lartë se numri i banorëve të regjistruar në 2021”, tha Izet Mexhiti, Zv.Kryeministër i Parë.
Mexhiti thotë se me politikat destruktive, BDI përveç që shpërnguli qindra mijëra njerëz jashtë shtetit, edhe ato që mbetën në zonat shqiptare, i ka fshirë nga evidenca.
“Vetëm nga këto 3 fshatra të Strugës, nga regjistrimi janë “harruar” mbi 5.000 shqiptarë. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve të fshirë në nivel republike do t’ju tmerrojë, prandaj po bërtisni! Prandaj s’jeni rahat! Koha për përgjegjësi për tradhtitë kombëtare dhe përgjegjësi do të ketë!”, shtoi ai.
Me vendimin e Gjykatës Kushtetueses konstatohet se drejtori i atëhershëm i Entit të Statistikave, Apostoll Simovski i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe në mënyrë të paligjshme ka kategorizuar popullatën në rezident dhe jorezident. Përgjegjësia në këtë rast është edhe e zv.drejtorit Ilmi Selami, kuadër i BDI-së, pasi rezultati i regjistrimit, metodologjia, por edhe aktet tjera ishin bërë me nënshkrim të lidhura apo të dyfishtë./Alsat.mk