Kreu i SPAK, Klodian Braho deklaroi se hetimet në Belinda Ballukun vijojnë me prioritet të lartë, ndërsa kontrollet e kryera së fundmi janë pjesë e veprimeve hetimore në vazhdim.
Gjatë një takimi informal me gazetarët, Braho tha se në hetim janë angazhuar nëntë oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe dy prokurorë.
“Është çështje në hetim. Është ndër çështjet më prioritare. Janë 9 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe 2 prokurorë që po merren me këtë çështje. Kontrollet e sotme janë vijim i hetimeve. Kur të përfundojnë hetimet do të dalim me një hetim më të plotë”, u shpreh Braho.
I pyetur nëse SPAK mund të paraqesë një kërkesë të re në Kuvend, Braho nuk e përjashtoi këtë mundësi, por theksoi se çdo vendimmarrje do të varet nga provat që do të sigurohen gjatë hetimeve.
“Hetimet, edhe pas atij vendimi, kanë vazhduar me intensitet. Kanë ecur më tej. Nuk mund të them nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re. Vendimi do të kushtëzohet nga rrethanat e hetimit dhe rezultatet që do të kemi. Parlamenti ka marrë një vendim për një kërkesë që ne kemi bërë dhe nuk mund të shkojmë sërish me të njëjtat prova”, deklaroi Braho.
The post “Hetimet për çështjen e Ballukut vijojnë me intensitet”- Kreu i SPAK, Klodian Braho: Është me prioritet! Kërkesa e re në Kuvend për heqje imuniteti, pasi të kemi prova të reja appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



