Prokuroria Speciale e Kosovës e ka marrë në kompetencë hetimin për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Lajmin për Kallxo.com e konfirmoi kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.
Millaku tha se vendimin e ka marrë sot. ndërsa kjo ka ndodhur “për shkak të kompleksitetit të rastit”.
Deri më tani, hetimi për vrasjen e Ivanoviqit bëhej nga një ekip prej dy prokurorëve në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.
Oliver Ivanoviq, kreu i partisë serbe të Kosovës Inciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, u qëllua para zyrës së tij më 16 janar dhe vdiq më pas në spital.
Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, si dhe nga ata serbë dhe kosovarë.
Ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.