Ish nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë dhe komandanti i UÇK-së, Hisni Shaqiri, ka promovuar sot në Shkup, librin “Golgota e shqiptarëve të Maqedonisë”, shkruan gazeta LAJM.
Në promovimin e këtij libri morën pjesë qytetarë, studentë, analistë, shkrimtarë, politikanë dhe veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.
Para të pranishmëve përveç autorit të librit folën edhe veprimtari i çështjes kombëtare dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari dhe shkrimtari i njohur nga Shkupi Kim Mehmeti.
Autori i librit Hisni Shaqiri në fjalimin e tij tha se përmbajtja e librit përfshin ngjarje të vërteta të cilat kanë ndodhur në historinë e viteve ‘80 e deri më sot. Ai tha se fjalët nuk do të mjaftonin edhe po të shkruante mbi 1.000 faqe, sepse nuk do ta plotësonin atë që ka nevojë populli në përgjithësi.
Organizator i promovimit të librit ishte gazeta LAJM. Në videon më poshtë mund ta ndiqni të plotë promovimin e librit “Golgota e shqiptarëve të Maqedonisë”.