Në kohë lufte kanë marrë start marrëveshjet e tipit të koalicioneve “Guns & Roses”. Historia e këtyre marrëveshjeve ka nisur me atë për “Qeverinë e Unitetit”, e cila nuk ishte bërë as në Kosovë dhe as me ndërmjetësimin e kosovarëve – ishte bërë në Rambouillet, nën trysninë ndërkombëtare, shkruan sot Koha Ditore.
Ka qenë fundi i shkurtit të 1999-s, kur forcat kryesore politike të asaj kohe, me dominancë të LDK-së, dhe krahu politik i UÇK-së, kishin rënë dakord në këtë qytezë të Francës për të krijuar një qeveri të përkohshme që do të drejtohej nga Hashim Thaçi, tash president. E kishin bërë, krahas negociatave që patën zhvilluar me delegacionin e Serbisë për ndaljen e luftimeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje. Thaçi përfaqësonte UÇK-në. Në Rambouillet drejtonte edhe delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë.