Historia e Liljana Semës, e moshuara që ndërroi jetë e ngrirë pasi i prenë dritat

Është gjetur e ngrirë në mëngjes në banesën e saj të rrënuar dhe është varrosur pasdite, pak metra më tej në varrezat e fshatit, për të cilat ajo kujdesej herë pas here për të fituar pak lekë nga familjarët e të ndjerëve.


Liljana Sema, nënë e tre fëmijëve dha shpirt nga i ftohti i egër i kësaj jave. 67-vjeçarja nga fshati Ferras i Fierit, e cila jetonte e vetme në kushte shumë të vështira ekonomike, iku si dëshmi i një mjerimi të skajshëm.
E moshuara ngriu, pasi në shtëpinë e saj të shkatërruar nuk kishte ngrohje. Mësohet se punonjësit e OSHEE i kishin prerë dritat dhe kishin refuzuar që t’i lidhnin një llambë për ndriçim, pasi ajo ishte debitore. Një muaj pa energji elektrike, në një godinë ku era e acartë të priste, ka shënuar fundin tragjik të Liljana Semës, e cila që pas vdekjes së bashkëshortit (3-4 vite më parë) “shtynte ditët” në kushtet e mbijetesës.

Ngjarja e rëndë ndodhur në fshatin Ferras të Njësisë Administrative të Levanit, shënon rastin e parë në Shqipëri kur një qytetare humb jetën nga mungesa e energjisë elektrike. Në të shkuarën qytetarë nga zona të ndryshme të vendit kanë humbur jetën në tentativë për të rilidhur enegjinë elektrike, ose kanë ndërruar jetë për shkak të depresionit të shkaktuar nga pamundësia për të paguar faturat e dritave.
Vdekja tragjike e 67-vjeçares nxjerr në pah jo vetëm mjerimin, por edhe lënien e të moshuarve në mëshirë të fatit nga familja dhe shteti.
Liljana Sema ishte nënë e tre fëmijëve, dy prej të cilëve kanë emigruar jashtë vendit, ndërsa, djali Kushtrimi jeton në Himarë me familjen e tij, ku dhe është punësuar.

NGJARJA
Mëngjesin e së mërkurës, Liljana Sema u gjet e ngrirë nga i vëllai, Imer Gjoleka. Ai tregoi se e Liljana jetonte e vetme dhe pa përkrahje nga shtetit.

“Jam i vëllai Liljanës, e gjetëm të ngrirë nga i ftohti. I kishin hequr dritat të OSHEE. Nuk kishte lekë të paguante. Këtu jetojnë biznesmenë dhe nuk paguajnë, kurse motrës sime i shkëputën dritat. Unë e gjeta të ngrirë, doktori tha ka ngrirë nga i ftohti. Kishte 3 fëmijë, 2 djem dhe një vajzë. Nuk i ndihmonte njeri… Kur u bë autostrada Mbrosta- levan, projekti kapi tokat në pronësi të familjes së motrës sime. Edhe pse kanë kaluar disa vite, shteti nuk i ka kompensuar. Motra jetonte vetëm, pa përkrahje”, tha ai për “Gazeta Shqiptare”

Ndërkohë, i biri Kushtrimi u shpreh se i kishte blerë nënës së tij një rezistencë për ditëlindje në nëntor, por ajo e kishte përdorur vetëm një javë pasi i kishin prerë dritat.

“Më mori kushëriri në telefon, më tha ka vdekur mamaja. Kur erdha e gjeta ashtu siç e gjeti daja. Para 10 ditësh isha këtu, bëra sherr me ata të dritave, ti lidhnin të paktën një llambë. Kishte 3 ditë që kishte vdekur. Kishte pension 70 mijë lekë e mblidhte kanaçe. Unë e ndihmoja mesa kisha mundësi, se marr një rrogë të ulët si roje objekti. Me ato lekë s’na dilte as rruga dhe as ardhja deri këtu. I merrja ilaçet 60 mijë lekë, vuante nga zemra, tensioni. Ajo i ka paguar dritat deri në dhjetor, ata thonë s’i ka paguar. Unë kam librezën e faturat, edhe një rezistencë që kishte nuk e vendoste dot. Ia bleva për ditëlindje rezistencën, por 1 javë e përdori”, rrëfeu i riu.

Ndërsa motra e së ndjerës, Tefta tha mes lotësh se 67-vjeçarja: “Ka qenë sëmurë gjithë jetën. Motra ime mblidhte kanaçe në rrugë. Vinim si motra ta ndihmonin, por sado… Ndërroi jetë në atë kasollen atje, aty dha shpirt motra ime. Vdiq nga i ftohti, çfarë binte jashtë, hynte brenda. Se ndihmonim dot”.

Reagimi i banorëve

Lajmi se 67-vjeçarja Liljana Sema kishte ngrirë nga i ftohti ka shokuar bashkëfshatarët e saj, të cilët thanë se e moshuara jetonte e vetme dhe në varfëri ekstreme. “Na erdhi shumë keq për Liljanën. Ajo u varros vetëm pak orë pasi u gjet e vdekur. Iku sikur të mos ishte. Shpeshherë e ndihmonim me çfarë të mundeshim. Ajo pastronte herë pas here dhe varrezat e fshatit që i kishte afër shtëpisë. Hiqte barërat e ferrat mes varreve. Për shërbimin që kryente të afërmit e të ndjerëve i jepnin ndonjë lek. Ajo vuante prej vitesh nga zemra, tensioni, por kishte dhe probleme me nervat”, thanë fqinjët e së ndjerës. Ndryshe nga familjarët, këta të fundit pohuan se 67-vjeçarja merrte pensionin e burrit të vdekur.

Nga ana tjetër, burime nga Njësia Administrative e Levanit bënë me dije se e moshuara që u gjet e ngrirë është ndihmuar sa herë që ka patur përmbytje.

Reagimi i Drejtorit të OSHEE

Pas ngjarjes për vdekjen e 67-vjeçares Liljana Sema nga mungesa e energjisë elektrike ka reaguar Drejtori i OSHEE në Fier, Arjan Fasko. Ai deklaroi se prej 1 viti kontrata e energjisë elektrike në banesën ku jetonte Liljana Sema është ndërprerë nga vetë ajo. Ndërsa objekti është raportuar i mbyllur dhe se aty nuk jetonte njeri, pasi sa herë që punonjësi i OSHEE ka shkuar në banesë s’ka gjetur njeri.
Fasko shtoi se nuk kanë pasur asnjë kërkesë nga ana e familjarëve të viktimës për lidhjen e energjisë elektrike.

“Kontrata që furnizonte objektin ku jetonte zonja, është debitore për një periudhë të gjatë. Ka lidhur akt-marrëveshje në 2018 dhe e ka ndërprerë. Ka mbi 1 vit e ndërprerë kontrata e energjisë elektrike. Nga ana e punonjësit të OSHEE, që bën leximin e sistemit të matjes është raportuar i mbyllur dhe nuk banon njeri, pasi objekti ka qenë i mbyllur kur ai ka shkuar atje për rileximin e sahatit. S’kemi asnjë kërkesë nga familjarët për lidhje të energjisë në këtë periudhë”, tha Fasko.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme