Historia e plotë e vajzës nga Kenia: Si u fsheh e vërteta e vrasjes barbare

Si u fsheh e vërteta nga autoritetet për vrasjen e një vajze 22-vjeçare keniane të pafajshme. Vrasje e mbuluar plot me mister, por për çfarë, për të mbrojtur kë?!

“Më thoshte, ‘mami do të punoj për ty deri sa të bëhem 25 vjeçe dhe pastaj do të filloj të punoj për vete’. Edhe sot e vuaj shumë duke mos ditur se çfarë i ka ndodhur asaj”, e nis rrëfimin e saj nëna e Joy-t.

 Më 14 shkurt 2022, Joy niset nga Kenia për në Shqipëri. Ajo niset nga aeroporti i Nairobit e shoqëruar nga nëna e saj, e cila e përcjell vajzën me bekimin se në vendin që po shkonte për të punuar, do të siguronte një të ardhme më të mirë se sa ajo që i ofronte Kenia. Joy kishte aplikuar dhe fituar të drejtën për të punuar në një kazino në Shqipëri.

“Asaj iu dha një mundësi që të vinte në Shqipëri dhe ajo më tha, mami është një mundësi për të ndjekur një trajnim në një kazino në Shqipëri dhe po më ofrojnë edhe një pagë për këtë. Çdo prind gëzohet kur shikon fëmijën që po gjen një punë që i pëlqen dhe unë nuk hezitova aspak. Pse jo, nga informacioni që kam Shqipëria është vend i rregullt dhe vajza ime do të shkonte në Shqipëri për të mësuar mbi lojërat e kazinosë e më pas do të punësohej. I dhashë miratimin tim, Xhoi erdhi në Shqipëri në muajin shkurt, ishte vetëm 21 vjeçe. Të gjitha hapat e punësimit dhe procedurat u kryen nga kompania”, tregon nëna.

Më 15 shkurt 2022, Joy mbërrin në Shqipëri për të punuar në një kazino në Tiranë si “krupiere” ose “dealer”. Joy përshtatet shumë shpejt me jetesën dhe punën në Shqipëri dhe ishte e kënaqur me punën e saj dhe me të ardhurat që fitonte ajo ndihmonte familjen e saj të varfër në Kenia.

“Kur Xhoi arriti në Shqipëri, e pritën punëdhënësit dhe ajo u mirëprit në kompani. Ajo ishte më e vogla në kompani. Më thoshte “mami, unë jam më e vogla në kompani dhe të gjithë më pyesin se si ndihem që kam ardhur këtu. Ajo më thoshte se jam mirë, ndihem e sigurt. Nuk e kisha menduar kurrë… Ndoshta ne si prindër nuk e përgatisim veten për më të keqen, por e dija që vajza ime ishte në rregull. Unë kisha besim se në Shqipëri ajo do të ishte mirë dhe do të kthehej shëndoshë në Kenia. Në punë gjithçka po shkonte mirë, duke qenë se Xhoi ishte një vajzë e çiltër, natyrë e qeshur. Joy ishte një vajzë që i donte të tjerët dhe gjithashtu gëzonte dashurinë e tyre. Ajo nuk kishte asnjë ankesë për vendin e saj të punës. Unë mendoj se ajo e donte me gjithë shpirt këtë punë”, rrëfen nëna e 22-vjeçares.

Joy, një vajzë e qeshur, plot jetë me dëshirën e madhe për të punuar dhe ndihmuar familjen në Kenia, në rrjetet e saj sociale gjatë kohës që punonte në Shqipëri ka publikuar video dhe foto nga momentet më të lumtura të saj. Në disa prej videove ajo tregon se sa shumë i pëlqen Shqipëria dhe se e dashuron këtë vend, duke lënë mbishkrime se në Shqipëri po jetonte jetën e saj më të mirë. Postimi mban datën 8 gusht 2022, vetëm 4 ditë para se jeta e Joy-t në Shqipëri të merrte rrjedhë krejt tjetër, 13 gusht 2022.

PO SI U PËRMBYS JETA E 22-VJEÇARES KENIANE?

“Unë flisja shumë me Joy-in dhe të shtunën më datë 13 gusht rreth orës 03:00, Xhoi më mori në telefon dhe më pas folëm në ‘WhatsApp’. Ajo më dërgoi mesazh në 03:25, ishte mesazhi i fundit prej saj. Joy kishte qenë në punë të premten në mbrëmje dhe ishte kthyer në shtëpi rreth orës 03:00 të mëngjesit. Ajo më shkroi, më tha se ishte e lodhur dhe më pyeti se çfarë po bëja. Më tha që do të bënte një dush dhe do të shtrihej për të fjetur. Më tha që do ngrohte ushqimin për të ngrënë. Unë vazhdova t’i shkruaj dhe ajo nuk më ktheu përgjigje. Unë nuk u shqetësova të shtunën. I urova natën e mirë me mendimin se do të ishte shtrirë për të fjetur. Gjatë ditës kur u zgjova rreth orës 11:00 të paradites, ajo nuk më kishte kthyer përgjigje. Sakaq, fillova të shqetësohem. I dërgova sërish mesazh për ta pyetur nëse ishte zgjuar, por nuk më ktheu përgjigje. Erdhi e diela, por ende asnjë komunikim. Instinkti i nënës. Ndjeva se diçka e keqe kishte ndodhur”, tregon nëna e 22- vjeçares.

Më datë 14 gusht rreth orës 12 të drekës, Joy u gjet në gjendje të rëndë në oborrin e një banese ngjitur me banesën, në të cilën ajo jetonte me bashkëkombësen e saj, Emily Mutua, dhe punonjës të tjerë të kazinosë.

“Di që mesazhi i saj i fundit ishte në 03:25 minuta. Nëse përllogaris që nga ora 03:25 e mëngjesit deri të dielën, sepse gjatë së shtunës ajo nuk u gjet, deri të dielën në orën 12:30 i bie më shumë se 30 orë që Joy kishte humbur gjurmët”.

Vajzat nga Georgia që punojnë me Joyin në kazino, shtëpia e së cilave është pranë me të Joy-t, kishin dëgjuar një zhurmë frymëmarrjeje të vështirë dhe rënkim. Njëra prej vajzave nga Georgia ishte në dritare dhe ajo i tha shoqes së saj “eja dhe dëgjoje këtë zhurmë”. Ajo i kishte thënë se atje mund të jetë vajza afrikane që ka humbur ditën e djeshme, të cilën po e kërkojnë. Ato panë me kujdes nga dritarja dhe dalluan Joy-in, sakaq telefonuan menjëherë ambulancën. Gjithashtu, telefonuan menaxherin.

Se çfarë ka ndodhur mesnatën e 13 gushtit me 21- vjeçaren keniane Joy Aoko, është ende e pasqaruar, madje policia nuk e raportoi ngjarjen. Ajo u bë publike pas 3 muajsh.

Por, çfarë kishte ndodhur me Joy-n përpara se të ndodhte ngjarja, ku kishte qenë Joy dhe a kishte pasur ajo probleme, të cilat ia kishte treguar nënës së saj? Nëna e saj, Ruth Abongo tregon se çfarë kishte ndodhur me Joy-n gjithë javën deri në 13 gusht.

“Kur nuk ishte në punë, Joy dilte. Edhe gjatë asaj jave më kujtohet se ditën e hënë ajo kishte qenë në Durrës, ndërsa incidenti ka ndodhur të premten e po asaj jave. Ajo kishte shkuar në Durrës me një mik që ishte shoferi i tyre në kazino. Me shoferin e kazinosë kishte shkuar në Durrës”, tha Ruth Abongo.

Udhëtimin në Durrës 4 ditë para ngjarjes me shoferin shtetasin me iniciale R.B., Joy e ka publikuar edhe në rrjetet sociale, ku në video 22-vjeçarja shfaqet në makinë dhe në postim shkruan “Si përputhet ky tingull me situatën në video”, të cilën e shoqëron edhe me një këngë.

Por çfarë ndodhi me Joyn atë ditë në Durrës, nëna e saj rrëfen të vërtetën siç ajo e di.

“Atje shoferi nuk ishte treguar i mirë me të, sepse shoferi kishte qëndruar shumë afër. Ishte shumë ekspresiv njësoj sikur të ishin në një marrëdhënie. Ajo e kishte pyetur ‘përse po sillesh kështu, sepse unë nuk jam e dashura jote’. Ai kishte thënë se ‘unë po të mbroj’ dhe Xhoi i kishte thënë se ‘kjo nuk është e drejtë, unë jam e rritur’ dhe e di që më parë ky shoferi i kishte kërkuar Xhoit të kishin marrëdhënie, por Xhoi kishte refuzuar dhe i kishte thënë jo. Ky shoferi nisi ta ndiqte nga pas për dy javë. Kur Xhoi e vuri re këtë u përball me të dhe i tha ‘përse po më ndjek mua? E kam vënë re që po më ndjek. Do të të raportoj në kompani’. Më pas shoferi i tha ‘jo, mos u shqetëso. Mos më raporto. Thjesht po mendoja se përse po më refuzon ftesën për të dalë me mua. Po të ndiqja për të kuptuar se cilin po takon që të pengon të takohesh me mua’. Ata ranë dakord që të mos hyjnë në një lidhje, por të mbeten miq. Në bazën e miqësisë, Xhoi pranoi ftesën për të shkuar në Durrës të hënën. Ata shkuan në Durrës dhe shoferi vazhdonte të shprehte ndjenjat e tij dhe Xhoi nuk e pëlqeu këtë. Xhoi u zemërua në Durrës dhe i kërkoi që të ktheheshin. Kur u kthyen ata u zunë dhe Xhoi e bllokoi atë. Ajo i tha mjaft dhe nuk dua më miqësi me ty, sepse kjo është e tepërt. Kësaj here, Xhoi po komunikonte me një shoqe në Kenia ku po i tregonte për mënyrën se si kishte vepruar shoferi dhe se ajo nuk po ndihej e sigurt. Që të jem e sinqertë, kur ata u kthyen në shtëpi nga Durrësi shoferi i saj u fut menjëherë në dhomën e saj të gjumit dhe hoqi rrobat. Xhoi i tha ‘çfarë po bën? Ti vazhdon akoma me këtë sjellje, mjaft’ dhe shoferi i thotë ‘me kë po flet në telefon që mendon se është i rëndësishëm’. Kjo bëri që Xhoi të zemërohej dhe ta bllokonte numrin e telefonit të shoferit”, rrëfeu detajet nëna e Joy-t.

Sipas nënës së vajzës, shoferi kishte këmbëngulur që të kontaktonte sërish me Joy-n dhe kishte folur me shoqen e 22-vjeçares, Joy Brenda, një ditë pasi ata kishin qenë në Durrës.

“Të martën, Xhoi Brenda (shoqja e Xhoit), po shkonte për të punuar më duket dhe është me këtë shoferin në makinë. Ai i thotë Xhoi Brendas që shoqja jote më ka bllokuar në çdo aplikacion. Si mund ta kontaktoj atë? Dhe Xhoi Brenda i thotë ‘është mënyra jote ofensive. Në Kenia ne nuk i ndjekim vajzat në këtë mënyrë. Mënyra se si e ke trajtuar Xhoin nuk është e drejtë’. Ky është një konfirmim që shoferi u bllokua të hënën. Kështu, të mërkurën, të enjten, ndërsa të premten ky shofer nuk ishte në punë, ishte pushim. Instinkti më thotë se… nuk e di… Ndoshta po flas shumë, por mendoj se ka më shumë pikëpyetje për shoferin. Ai është personi që kishte zemërim. Xhoi ishte shprehur se nuk ndihej e sigurt me këtë person”, rrëfeu nëna.

Por, çfarë ndodhi pas së martës, nëna e Joy-t jashtë kamerës shprehet se vajza tjetër e saj e madhe i ka dërguar një mesazh Emilisë (kur Joy ishte në spital), duke i thënë përse ma vrave motrën sepse ajo të donte ty, ndërsa Emily i përgjigjet se nuk e ka vrarë ajo dhe i ka treguar se shoferi shtetasi me iniciale R.B. e ka nxjerrë atë për një xhiro në Durrës dhe i ka kërkuar çelësat e apartamentit të vajzave për t’i bërë Joy-t një surprizë dhe shprehet se shoferin dhe Joy-n i dinte si të lidhur.

Kur ia kërkuam këtë mesazh si provë nëna e Joy-t nuk e dha për arsye që ajo nuk i tregon, por vetëm hesht. Se sa i vërtetë është ky mesazh, autoritetet mund ta konfirmojnë, duke sekuestruar telefonin e Emily-t, pasi ka deklarata kontradiktore, sepse sipas mamasë së Joyt, Emily ndryshe nga vajza tjetër asaj i ka thënë se shoferi e ka marrë çelësin e apartamentit nga Joy, duke e fotokopjuar dhe mohon t’ia ketë dhënë ajo çelësin.

Kur e pyesim nënën se pse Emily nuk e tregon të vërtetën e gjithë historisë në polici ajo shprehet se e kanë udhëzuar të mos flasë.

“Nga ato që më ka thënë, mendoj se ka të bëjë më shumë me udhëzimin. Kushdo që e ka udhëzuar për të mos folur ose për të treguar historinë. Ajo më tha se është udhëzuar nga një prej menaxherëve të kompanisë për të mos folur. Ajo më tha se arsyeja pse menaxheri e udhëzoi për të mos folur, dhe jo vetëm Emilinë, por çdokënd më të cilën Xhoi punonte, ishte që të mos flisnin për Xhoin, sepse po shndërrohej në shumë histori. Kolegët po flisnin gjëra të ndryshme”.

BISEDA MES EMILISË DHE MENAXHERIT

Për këtë arsye, ajo u udhëzua që të mos fliste për këtë me të tjerët. Nëna e Joy-t flet me rezerva për Emilinë dhe për mënyrën se si ajo veproi për të treguar ngjarjen dhe se ka hapur edhe dy telefonat e Joy-t. Kujtojmë faktin se shoqja e dhomës së Joy-t ishte ajo që bëri denoncimin në polici për Joy-n dhe përkthyes i saj ishte shoferi shtetasi me iniciale R.B.

Menaxheri merr në telefon Emilinë në orën 14:30 të drekës dhe e pyet “Si je Emili? Xhoi nuk ka ardhur në punë”, dhe ajo i kthehet “Me sa shikoj nga krevati i saj, është e frikshme. Duket sikur diçka ka ndodhur. Xhoi nuk është në krevat dhe krevati është njësoj siç e gjeta në mëngjes. Unë ndihem e frikësuar. Dhe menaxheri i thotë, nëse diçka nuk shkon çfarë mund të jetë? Atëherë më prit mua sa të vij në shtëp”i. Emilia i thotë, jo mos hajde në shtëpi, më lër të vij te zyra, sepse jam e frikësuar dhe më pas kthehemi të dy në shtëpi. Emili shkon në kompani duke e lënë shtëpinë ashtu siç ishte dhe më pas kthehet në shtëpi me tre menaxherë.

Menaxherin që e kishte marrë në telefon, menaxherin e turnit dhe një tjetër menaxher. Pra, vijnë tre menaxherë dhe Emili. Ajo që nuk kuptoj. Emili i telefonoi Xhoi Brendës dhe menjëherë ose Emili, ose Xhoi Brenda i telefonuan shoferit, sepse sipas Emilisë, në kohen që ajo po kthehej në shtëpi ajo takoi shoferin në zyrë. Mes shumë shoferëve që kompania ka, pse ata i telefonuan këtij shoferi atë ditë. Xhoi Brenda i telefonoi shoferit, sepse nëse Emilia i kishte telefonuar Xhoi Brendës për ta pyetur nëse Xhoi ishte me të, sepse të dy telefonat e saj janë këtu dhe krevati është rrëmujë. Duket sikur ka pasur një luftë dhe diçka e keqe mund të ketë ndodhur.

Duke qenë se Xhoi Brenda e dinte për këtë shoferin, Xhoi Brenda i telefon shoferit dhe e pyet a është me Xhoin. A ke ndonjë informacion, sepse ajo nuk është në shtëpi. Më pas, Xhoi Brenda i jep Emilisë “password”-in për telefonat e Xhoit, sepse të dy telefonat e saj janë në krevat. Emilia nuk e dinte “password”-in, por Xhoi Brenda duke qenë shoqe e ngushtë me vajzën time e dinte kodin. Nuk e di, sepse Emilia nuk më tha për arsyet se përse ajo hapi telefonat e Xhoit.

Por, ajo kontrolloi të gjithë komunikimet që ishin në telefon. Këto janë disa arsye më shumë se përse ajo duhet të merret në pyetje. Në fillim Emilia më tha se e kishte marrë ajo në telefon shoferin duke e pyetur nëse ishte me Xhoin. Kur e pyeta Emilinë se përse e kishte marrë në telefon shoferin por kësaj here më tha që nuk e kishte marrë ajo në telefon shoferin. Ajo më pas e gjeti shoferin në zyrë dhe eventualisht ai u pezullua. Dy javë pezullim.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme