Shqiptarët po e festojnë fitoren shembullore të “Forumit shqiptar” në Komunën e Tuzit. Sot u mbajtën për herë të parë zgjedhjet, pas shpalljes së Tuzit si komunë të pavarur nga Podgorica. Pikërisht sot, me 3 mars 2019.
Plot 141 vjet nga sot Tuzi e troje të tjera shqiptare iu dhanë dhunshëm si plaçkë Malit të Zi nga Traktati i Shën Stefanit 3 mars pra, më 1878.
Më 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua Traktati i Paqes së Shën-Stefanit, i cili i dha fund Luftës Ruso-Turke. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37, 7 mijë km2 në 52,7 mijë km2. Edhe Mali i Zi rritej nga 4,7 mijë km2 në 15,7 mijë km2. Sipas këtij traktati, brenda kufijve të Malit të Zi hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, TUZIN, Plavën e Gucinë.