Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i është përgjigjur me tone të ashpra në Kuvend deklaratave të Taulant Ballës, duke denoncuar përpjekjet e mazhorancës socialiste për të tjetërsuar historinë dhe për të mbuluar prapaskenat e pazarit të territoreve të Kosovës. Gjekmarkaj theksoi se mazhoranca e lexon historinë me “syzet e PS-së” dhe me diktat nga kryeministri Edi Rama, duke anashkaluar njërën nga ngjarjet më të rënda gjeopolitike që ka trazuar faktorin shqiptar në vitet e fundit.
Gjatë fjalës së tij, deputeti opozitar solli në vëmendje tentativën për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ku përfshiheshin shkëmbimi i Luginës së Preshevës me Mitrovicën, duke akuzuar se pas këtij projekti qëndronin lobe, media dhe figura politike në Tiranë e Prishtinë. Në këtë përplasje, Gjekmarkaj nënvizoi se i vetmi që doli në mbrojtje të tërësisë territoriale të Kosovës ishte Sali Berisha.
Lidhur me përplasjen për historinë dhe prapaskenat e kufijve, Gjekmarkaj deklaroi nga foltorja e Kuvendit:
“Zoti Balla ju referua historisë, por me sa duket historia nuk është pika e tij e fortë, sepse e lexon atë në mënyrë të njëanshme, e lexon me syzet e interesave të Partisë Socialiste, e lexon atë me porositë e kryeministrit. Por meqenëse vendosi të merrej me historinë, la dhe anashkaloi me dashje një nga ngjarjet kryesore që është diskutuar këto vite dhe ka trazuar botën shqiptare. Ajo ka qenë çështja e ndërrimit të territoreve të Kosovës me Serbinë. Lugina e Preshevës me Mitrovicën.”
Më tej, deputeti demokrat nënvizoi përfshirjen e strukturave të caktuara në këtë plan dhe koston politike që shoqëroi qëndresën ndaj këtij projekti:
“Patë personazhe në Kosovë, patë personazhe në Shqipëri, patë media të caktuara, patë lobet e caktuara kudo që rrezikonin tërësinë territoriale të Kosovës. I vetmi personalitet publik i cili u ngrit në lartësinë e historisë dhe në lartësinë e interesave kombëtare ishte Sali Berisha, i cili nuk bëri asnjë kompromis për çështjen e territoreve dhe është një betejë që e nxiti, e mbrojti dhe e fitoi. Madje i pagoi dhe një çmim të cilin ai e zgjidhi vetë me një këmbëngulje të paepur.”
The post “Historia nuk lexohet me porositë e Ramës!”/ Gjekmarkaj: Sali Berisha mbrojti kufijtë kombëtarë, nuk bëri kompromis për çështjen e territoreve appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



