Historianët dhe politikanët përplasen për dekorimin e ballistëve

E martë 01 Nëntor 2016 – Sakte.net

Dekorimi 67 ballistëve të rënë në Golem të Lushnjes nga Presidenti Bujar Nishani, vijon të shkaktojë debate dhe përplasje mes palëve. Dje janë ballafaquar pretendimet politike me ato të historianëve, teksa mazhoranca vijon t’i qëndrojë idesë se Nishani gaboi. Në emisionin “Top Story”, historianët kanë dhënë detaje nga ngjarja në fjalë. Historiani Uran Butka ka deklaruar se pushkatimi i tyre u bë me nxitjen e jugosllavëve. “Nxitjen për pushkatimin e 65 ballistëve në Golem e bënë emisarët jugosllavë”, tha ai. Më tej historiani ka deklaruar se dhe partizanët kanë bashkëpunuar me gjermanët, kjo për të marrë Lushnjen. Ndërsa historiania Ana Lalaj tha se vrasjen e tyre me urdhër të Mehmet Shehut e dënoi edhe Enver Hoxha. “Vetë Enver Hoxha i tha Mehmet Shehut se ishte gabim ekzekutimi”, tha ajo. Ndërsa Uran Butka deklaroi më tej se pati shumë nga ata që luftuan kundër fashistëve dhe disa u vranë e të tjerë u internuan. “Ka pasur antifashistë që janë vrarë dhe torturuar nga fashistët. Në kampe janë internuar me dhjetra nacionalistë që luftonin kundër fashizmit. Fatkeqësia qëndron këtu se ata që janë vrarë cilësohen dëshmorë, ndërsa ata që janë vrarë në luftë civile cilësohen si tradhtarë”, tha ai. Ndërsa zonja Lalaj ka thënë më tej se LANÇ ishte më e organizuar se Balli Kombëtar. Sipas saj, pas Mukjes ballistët nisën të devijonin nga qëllimet e tyre. “Formacionet e Ballit janë shumë të ngjashme fillimisht me partizanët. Me Ballin mori pjesë elita kulturore, por ajo elitë nuk ishte e përgatitur ushtarakisht siç ishte LANÇ. Balli Kombëtar na thoshte na jepni armët dhe të hidhemi në luftë. Jo vetëm ushtarakisht edhe në pikëpamje politike platforma e LANÇ ishte shumë e avancuar. Kishte ndikim nga jugosllavët, rusët, etj. Balli kishte platformë nacionaliste. Strategjia e Ballit ishte çlirimi i vendit, por nuk kishte ide tjetër. Pas Mukjes u provokuan nga komunistët. Komunistët e prishën Mukjen dhe segmente të Ballit devijuan dhe bashkëpunuan me pushtuesit.

Petro Koçi akuza Nishanit

Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka forcuar qëndrimet e tij kundër Presidentit Bujar Nishani, për dekorimin e 67 ballistëve. Ai deklaroi dje se ky veprim është antinacionalist, teksa tha se kreu i shtetit nuk u konsultua fare me Institutin e Historisë. Nga ana tjetër, ai tha se vrasja e tyre ishte krim lufte dhe jo pushkatim nga komunizmi. “Ishte krim lufte. Por nuk mund t’i quajmë ultra nacionalistë. Dekreti i Presidentit është benzina që i hidhet zjarrit. Po të shohësh dhe justifikimet flet për komunizmin. Nuk kemi të bëjmë me skenarin e luftës dhe logjikën e përcaktimit të palëve. Kemi një palë, pala partizane e lidhur me klanin ruso-amerikan dhe palën tjetër që u lidh me pushtuesit gjermanë”, tha ai. Më tej Koçi lexoi dokumentin e një oficeri gjerman, që sipas tij, dëshmon se  Balli Kombëtar bashkëpunonte me nazistët, tha se ky akt kompromenton sot çështjen çame. “Dekreti i Presidentit është plotësisht i gabuar dhe antinacionalist. Është në momentin e gabuar, në kohën kur Greqia justifikon mbajtjen ende në fuqi të ligjit të luftës me argumentin se çamët bashkëpunuan me fashizmin. Ky vlerësim i Presidentit  kompromenton antifashizmin e Shqipërisë”, u shpreh ai. Ndërsa kundër tij doli deputetja e PD, Albina Deda. Ajo tha në emision se partia që përfaqëson vlerëson dekorimin e presidentit. “Ishte një maskaradë vëllavrasëse. Ligji i luftës nuk lejon vrasje pa gjyq dhe keqtrajtime. Ne shtresat e persekutuara e njohim mirë historinë…E majta duhet të kërkonte falje”, tha ajo.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme