Historiku i organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”

Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste dy formacionet ilegale serbe – “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – të cilat veprojnë në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë. Historiku i “Mbrojtjes Civile”

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë.

Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011. Atëbotë disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civilna Zastita” (Mbrojtja Civile), janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë. Në nëntorin e 2012-s, dhjetëra pjesëtarë të këtij formacioni kanë kryer ushtrime në sheshet kryesore të Mitrovicës së Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Një vit më vonë pjesëtarë të saj janë parë edhe para qendrave të votimit në Mitrovicë të Veriut, por janë larguar nga Policia e Kosovës.

“Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se “Mbrojtja Civile” është e rrezikshme për sigurinë e Kosovës, pasi që përbëhet nga pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake.

Në fillim organizata ka pasur rreth 500 anëtarë, por ky numër është rritur në mbi 750, më 2013 dhe 2014.

Ani se është organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin- Potok dhe Leposaviq. Shuarja e “Mbrojtjes Civile” është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel më 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës. Por në institucione është shprehur vazhdimisht dyshimi për vazhdimin e funksionimit të këtij formacioni.

Më 29 maj të këtij viti, tensionet në veri, përkatësisht në Zveçan, kanë kulmuar në dhunë midis protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.

Më 13 qershor, si i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj KFOR-it dhe vepra të tjera kriminale është arrestuar serbi Milun Milenkoviq, në Mitrovicë të Veriut. Sveçla ka thënë se ai është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale” në veri./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme