Gazetar: Mefail Ismaili
Një ditë pas zjarrit në Hotelin e Çarshisë në Shkup po vlerësohen dëmet e shkaktuara, ndërsa po hetohen edhe shkaqet e zjarrit, shkruan Alsat.
“Gjendja në Hotelin në Çarshinë e Shkupit i cili dje u përfshi nga flakët sot është e qetë, në terren ndodhen ekipet e policisë të cilat bëjnë ekspertizë për të zbardhur shkaqet të cilat shkaktuan zjarrin, i cili fatmirësisht, nuk mori viktima në njerëz por shkaktoi dëme të mëdha materiale”, raporton gazetari i Alsat, Mefail Ismaili
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se po punojnë në objektin e djegur të hotelit.
“Zjarri ka shpërthyer në një kuzhinë në hotel. Zjarri është shuar nga njësiti i zjarrfikësve në Shkup, ndërsa nga ajo që është paraqitur derti më tani shtatë personave, u është dhënë ndihmë në kompleksin e Klinikës “Nënë Tereza” ose në spitale të tjera. Më shumë personave u është ofruar ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes. Me udhëzime të prokurorisë bëhet ekspertizë dhe merren masa për zbardhjen e rastit”, MPB
Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë për Alsat njoftojnë se në spitalet e kryeqytetit për ndihmë janë paraqitur rreth nëntë persona.
“Katër persona kanë kërkuar ndihmë në Spitalin “8 Shtatori” për dëmtime dhe djegie, por pasi kanë marrë trajtimin e duhur janë lëshuar në shtëpi. Ndërsa në repartin e Toksikologjisë ndihmë kanë kërkuar 5 persona të cilët nga tymi kanë qenë të asfiksuar. Katër janë në gjendje të mirë dhe janë lëshuar në shtëpi, ndërsa një person që me gjasë është zjarrfikësi ende është në spital por është në gjendje të mirë shëndetësore”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë
Një ditë më parë Hoteli në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u kaplua nga zjarri. Nga dëshmitarët me të cilët bisedoi Alsat, thanë se fillimisht është dëgjuar një shpërthim e më pas është përhapur zjarri me shpejtësi. /Alsat.mk