Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Dragashit, ka thënë të premten se LDK dhe lidershipi i saj janë trashëgimtarët e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
“Arkitekti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidenti ynë doktor Rugova, na la një bagazh të madh intelektual, politik dhe kombëtar. Një jetë të tërë ai u sakrifikua për popullin dhe shtetin e tij. Rugova ishte figura më e pastër politike që njeh Evropa. Bota me të drejtë e quante Gandi i Ballkanit”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se ne ja kemi borxh Rugovës dhe popullit të Kosovës një lidership politik me duar të pastra, të dijshëm dhe vizionar.
“Ne jemi Brezi i Republikës, të cilin e kishe ideuar dhe parashikuar Presidenti ynë historik Ibrahim Rugova. Ne jemi trashëgimtarët e denjë politik të Presidentit Rugova, profesionalë dhe me duar të pastra, pa asnjë aferë korruptive dhe kriminale. Ne do ta jetësojmë vizionin e Rugovës për një Kosovë demokratike të zhvilluar, anëtare të BE-së dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruarHoti.
Ai ka shtuar se, nëse dëshironi të jetësoni idealin e doktor Rugovës për një Kosovë demokratike, “dilni më 11 qershor votoni numrin 16 dhe listën e kandidatëve tonë”, transmeton Klan Kosova.