Hoti: Pavarësisht zhvillimeve të fundit, dialogu s’ka alternativë, po bëhemi gati për Samitin e Parisit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për media pas vizitës së tij në Bruksel.

Kryeministri Hoti ka prezantuar në detaje takimet e tij në Bruksel duke thënë se është diskutuar çështja e vizave dhe shprehet se ka disponim brenda BE-së që së shpejti të ketë liberalizim të vizave për kosovarët, shkruan lajmi.net.

Më tutje, Hoti ka folur edhe rreth menaxhimit të pandemisë, një vale të dytë eventuale të koronavirusit dhe për rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë pas situatës së rënduar të krijuar nga pandemia.

“Ju kemi ftuar për të prezentuar para jush disa çështje lidhur me një vizitë tepër të rëndësishme për qeverinë dhe shtetin e Kosovës. Siç e keni parë nga agjenda e djeshme kemi pasur takime të nivelit më të lartë të BE-së duke filluar nga presidenti i Këshillit, shefja e KE-së, kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme, Shefin për Zgjerim. Temat që kemi diskutuar në këto takime janë me interes vital për Kosovën duke filluar nga vizat dhe e them se ka mirëkuptim nga BE për lëvizjen e lirë të kosovarëve dhe të gjithë e pranojnë se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave dhe është obligim i yni t’i mbajmë ato kritere. Unë pres që disa prej vendeve anëtare që kanë qenë skeptike me përkushtimin e treguar nga qeveria e re për zbatimin e agjendës së MSA-së të lëvizim së shpejti pa viza. Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian i kanë shkruar Merkelit dhe së shpejti Gjermania merr kryesimin e Parlamentit Evropian dhe besoj ka një pajtim të të gjithë anëtarëve të KE-së për liberalizim të vizave. Çështja e dytë është luftimi i pandemisë, unë i kam falënderuar komisionin dhe institucionet e BE-së për ndihmën e dhënë. Ne tash siç po duket duhet të bëhemi gati për valën e dytë të pandemisë dhe do të punojmë ngushtë me MSH-në dhe institucionet tjera që të mund t’i stabilizojmë të gjitha institucionet sa më parë dhe të mësohemi të jetojmë me pandeminë. Çështja e tretë e biseduar në detaje është rimëkëmbja ekonomike dhe mbështetja që i duhet Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës për të tejkaluar situatën e krijuar pas pandemisë. I kam njoftuar për planin tonë për rimëkëmbje ekonomike dhe kam kërkuar që Ballkani dhe Kosova veçanërisht të trajtohet me ndihmë. Jemi dakorduar që të shikojmë reformën e agjendës evropiane në kuadër të MSA-së.”, tha Hoti.

Më tutje, Hoti lidhur me aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është shprehur se lufta çlirimtare e Kosovës është arritja më e madhe në përpjekjen për pavarësi.

“Zhvillimet politike dhe ato të fundit në veçanti, e kanë ndryshuar dinamikën e agjendës tonë si qeveri, tash pas njoftimit për dorëzim të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe dua të them 3 gjëra. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është arritja më e madhe për përpjekjen për pavarësi, kjo luftë e ka arritur lirinë dhe pavarësinë dhe në fakt shpallja e pavarësisë e legjitimon luftën e UÇK-së. Duhet të pajtohemi të gjithë parimin e drejtësisë që është prezumimi i pafajësisë derisa nuk ka vendim përfundimtar të ndonjë gjykate”, tha Hoti.

Në fund, Hoti shprehet se procesi i dialogut do të vazhdojë pavarësisht zhvillimeve politike të fundit sepse sipas tij është me interes të mbyllet ky proces.

Ai shprehet se është në kontakt të ngushtë me Grenell dhe do të caktohet një datë e re për takimin në Uashington.

Por gjithashtu, Hoti thotë se janë bërë aranzhimet finale për Samitin e Parisit dhe se qeveria e tij po bëhet gati për t’u takuar me palën serbe në këtë samit.

“Dhe çështja e fundit është procesi i dialogut dhe pavarësisht zhvillimeve politike kohëve të fundit ne si qeveri mbesim të përkushtuar dhe mbesim të qartë në qëndrimin se dialogu nuk ka alternativë dhe dje këtë e kam thënë para zyrtarëve të BE-së. Është me interes për shtetin e Kosovës që të përmbyllet ky proces, meqenëse ka interes nga vendet kyçe të BE-së dhe SHBA-të. Për shkak të zhvillimeve të fundit kemi shtyre takimin në Uashington dhe unë kam pasur diskutime intensive me Grenell dhe me të jemi pajtuar për datën e re e cila do të ndodh së shpejti dhe ju do të njoftoheni. Agjenda e atij takimi mbetet e njëjtë përsëri, që t’i jep shtysë dialogut me një shtysë ekonomike. Tani janë duke u bërë aranzhimet finale për Samitin e Parisit dhe si qeveri jemi të gatshëm të jemi pjesë e atij Samiti që kryesohet nga dy shtetet kryesore të BE-së dhe jemi të nderuar me angazhimin kaq të madh të Macron dhe Merkel. Ne do të punojmë shumë në qeveri për të funksionalizuar ekipin për dialog përmes ekspertëve për dialog të cilët do të kujdesën për t’i hartuar të gjitha temat në interesin tonë në këtë dialog.”, tha Hoti. /Lajmi.net/ 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme