Ndonëse bënë shumë zhurmë dhe kërkuan shkarkimin e ministrit të ri serb Nenad Rikalo, deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e dhanë votën e tyre që do ta rrëzonin ministrin nga pozita aktuale. Iniciativa e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk e mori mbështetjen e partisë tjetër opozitare, Vetëvendosjes. Avdullah Hoti tha për Express se ky subjekt politik duhet të tregojë se cila ishte arsyeja që nuk e votuan mocionin e së martës.
Ministri serb i Bujqësisë, Nenad Rikalo, do të vazhdojë ta ushtrojë pozitën në krye të kësaj ministrie, ani pse kundër tij u kërkua që të votohej një mocion që do ta rrëzonte nga kjo pozitë.
Rikalo i cili akuzohet publikisht nga disa banorë të lagjes ‘Dardania’ se ka torturuar gjatë luftës studentë e shqiptarë, nuk i mori votat e mjaftueshme që të largohej nga kabineti qeveritar i Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Njëmbëdhjetë deputetë të Vetëvendosjes nuk e votuan fare mocionin për shkarkimin e ministrit Rikallo, edhe pse dje në seancën e Kuvendit, ishin ata që bënë zhurmën më të madhe, duke kërkuar shkarkimin e tij.
Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti tha për Expres se ky mocion do të kalonte po ta kishin dhe votën e Vetëvendosjes. Ai tha se duhet pyetur kjo parti se cila ishte arsyeja për mosvotim të mocionit.
“Shumica, saktësisht dy të tretat e deputetëve te LDK-se kanë qenë në salle dhe kanë votuar për mocionin e propozuar nga ne. Sikur te kishim pjesëmarrje të njëjtë edhe nga LVV, ky mocion do te kalonte. Besoj se është e udhës te pyetet LVV për motivet e mosvotimit te këtij mocioni, ne kohen kur pozita i kishte vetëm 40 vota”, u shpreh Hoti.
Ai sqaroi se vetëm 10 nga 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosjes nuk e votuan mocionin.
Deputetët e Vetëvendosjes që nuk votuan për këtë mocion janë: Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Liburn Aliu, Ali Lajçi, Sami Kurteshi, Fatmire Kollcaku, Valon Ramadani, Shqipe Pantina, Drita Millaku dhe Saranda Bogujevci.
Ramush Haradinaj në interpelancës e së martës tha para ligjvënësve se mekanizmat shtetërorë kanë ardh në përfundim se nuk ka prova që dëshmojnë për veprat të cilat akuzohet ministri serb Nenad Rikalo./GazetaExpress/