Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se në kontekstin e luftës në Ukrainë, “Defender Europe”, ushtrimi i madh ushtarak ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit, “është e nevojshme të vihet në pah”.
Hovenier në ceremoninë e fillimit të këtij ushtrimi të madh tha se “kjo është ndërmarrja më e madhe dhe më ambicioze që FSK-ja e ka ndërmarrë deri më tani”.
Ambasadori amerikan tha se janë të mahnitur me përparimin e ushtrisë së Kosovës.
“Në më pak se 4 vjet prej krijimit të FSK-së kemi qenë të mahnitur dhe të lumtur me përparimin e FSK-së dhe me mirënjohjet e shumta për punën e saj profesionale”, tha ai.
Hovenier tha se tani “Kosova po shndërrohet edhe në një eksportuese të sigurisë në rajon dhe botë”.
“Në këtë stërvitje, pothuajse 9 mijë ushtarak amerikan do t’i bashkohen 17 mijë pjesëtarëve të forcave ushtarake evropiane në 10 vende të ndryshme dhe kjo është diçka e madhe”.
“Do ta vini re se ky model i ri, model i mbrojtjes kolektive është shumë i ndryshëm nga modelet që mund të përdorin fuqinë e tjera botërore. Modeli ynë për sigurinë e Kosovës është që t’i fuqizojmë dhe forcojmë të partnerët tanë në tërë rajonin e jo duke iu diktuar veprimet që duhet t’i marrin”, u shpreh ai.