Taulant Hoxha nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile ka thënë se Bashkimi Evropian është fajtori kryesor pse gjendja mes Kosovës dhe Serbisë është e tensionuar.
“Diskutimi kryesor duhet të jetë pse kanë ardhur këto veprime në veri. Janë pjesë e një strategjie më të madhe, pasi ka qenë një dialog i pabalancuar kur për vite Kosova është palë e dëgjueshme, ndërsa Serbia është parë si palë problematike dhe nuk ka lidhje nëse ajo i ka zbatuar ato që është zotuar. BE-ja ka dështuar ta luajë rolin e vet si lehtësuese e dialogut. Të gjithë janë fajtorë për këtë, edhe Kosova, edhe Serbia, edhe BE-ja. Por BE-ja është fajtorja kryesore pse e ka sjell situatën këtu. E ka mundësuar një qasje të pabalancuar në dialog. Pavarësisht veprimeve dhe deklarimeve publike të Serbisë, nuk ka pasur pasoja”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Për masat e paralajmëruar të BE-së ndaj Kosovës, Hoxha ka thënë se janë masa simbolike nëse nuk zgjasin deri në fund të vitit.
“Janë masa simbolike, në afatshkurtër s’do të kenë ndikim serioz. Kjo po bëhet për ta shtuar presionin publik ndaj Qeverisë për ta ndryshuar kursin në veri. Nëse zgjasin më shumë këto masa, deri përtej verës apo deri në fund të vitit, mund të kenë ndikim. E vetmja masë që është më brengosëse është ndalimi i vizitave dhe takimeve të nivelit të lartë. Kjo e pengon pjesën e komunikimit të drejtpërdrejtë me shtetet anëtare. Kosova informatat kryesore do t’i marrë nga emisarët dhe jo nga institucionet”, ka thënë Hoxha.
Ai ka rekomanduar që Qeveria të hapet dhe të diskutojë me palë të tjera në Kosovë dhe të marrë përgjegjësinë nëse dialogu duhet të vazhdohet me këtë format, pas rrethanave të reja në Evropë me pushtimin e Ukrainës.
© KOHA.