Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, është optimiste se qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm pa viza deri në fund të vitit 2018-të.
Ajo ka folur për takimin që për dy ditë me radhë patën me delegacionin vlerësues të BE-së, për kriterin e fundit për procesin e liberalizimit të vizave, ku tha se presin një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian.
“Ky është një mision fakt mbledhës, nuk është një mision politik për të dhënë opinionet politike apo çfarëdo qoftë, mirëpo ky mision fakt mbledhës, bazohet shumë në faktet, në argumentet, në shifra konkrete se çfarë është bërë deri më tani dhe ne besoj që kemi arritur të plasojmë këtë një fotografoi të plotë se çfarë është bërë nga secili prej institucioneve. Kemi pasur edhe takime përgatitore që Kosova, vendi ynë, të gjitha institucionet ligjzbatuese të dalin sa më mirë, jo t’i zbukurojmë gjërat, por ta themi të vërtetën, vetëm në bazë të punës, fakteve dhe argumenteve. Deri më tani ne kemi parë se ka pasur dhe nga raportet e kaluara, ka pasur një qasje shumë pozitive, objektive patjetër, por unë jam optimiste që do të marrim një vlerësim pozitiv. Të presim deri në fillim të qershorit por gjithashtu jam shumë optimiste gjithmonë duke u bazuar në këtë proces të vendimmarrjes, deri nga fundi i vitit, besoj që qytetarët tanë do të lëvizin të lirë pa viza”, tha Hoxha për KosovaPress.
Hoxha tha se institucionet kanë bërë një punë të madhe në luftimin e krimit dhe korrupsionit, në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave por se lufta kundër këtyre dukurive do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Sa i përket kriterit të liberalizimit të vizave, ne mendojmë që veprimet që janë ndërmarrë, sidomos në rastet e shenjëzuara, ne kemi bërë një punë të madhe. Nëse e krahasojmë momentin kur këto raste kanë filluar të monitorohen. Pra kemi pasur një numër prej 31 rastesh, tani numri është rritur në 43 raste. Këto raste janë të niveleve të ndryshme, kanë lëvizur në instancën e parë, të dytë. Kemi vendime të prera të Gjykatave, pra me të vërtetë është bërë një punë, nëse e krahasojmë 2016, 2017, 2018, sidomos veprimet e fundit që kemi ndërmarrë që ndërlidhen me Track Records apo rasteve të shenjëzuara si pakoja e ligjeve që është miratuar, rritja e numrit të gjyqtarëve, rritja e numrit të prokurorëve, rritja e buxhetit. Të gjitha këto e konfirmojnë dhe e rrisin besimin në institucionet tona ligjzbatuese që kjo punë do të vazhdojë. Tani topi është tek institucionet e BE-së dhe varet çfarë dinamike ata do të marrin në procesin e vendimmarrjes pra komision, parlament, këshilli i ministrave, sepse u mbetet tek e fundit, vendimi final është në vendet anëtare veç e veç, me ministrat e brendshëm, të cilët në fund të fundit ata do votojnë”, tha ajo.
Por thotë se liberalizimi i vizave, lëvizja e lirë, është vetëm një segment nga e gjithë puna që duhet të bëhet për procesin e integrimit evropian.
Sipas saj, institucioneve u duhet një dinamikë e re me qëllim të përshpejtimit të implementimit të MSA-së, që është një marrëveshje shumë e rëndësishme për Kosovën, për të avancuar pozitën drejtë statusit të kandidatit.
“Reforma na nevojiten në Administratën Publike, reforma në arsim, reforma në ekonomi, reforma në shumë segmente, sidomos në sundimin e ligjit. Nuk duhet ato t’i harroj që reformat duhet të vazhdojnë patjetër. Më pastaj ta ndërtojmë këtë momentum që të aplikojmë për statusin e kandidatit. Plani është që deri në vitin 2020, Kosova të bëhet vend kandidat dhe të bëjmë çmos që të fillojmë dhe ne negociatat, sepse ndryshe nuk mund ta zëmë hapin me vendet e rajonit dhe duhet edhe këtu ta shfrytëzoj rastin dhe ta përsëris atë që kam thënë shumë kohë më parë, se është koha e fundit që na nevojitet një konsensus nacional me të gjitha partitë politike, me të gjitha institucionet. Pra dhe një komunikim më i mirë, një bashkëpunim ende më i mirë në mes të Qeverisë, gjyqësorit, prokurorisë, kuvendit, të gjitha institucioneve tjera, qofshin ato pjesë e legjislativit, ekzekutivit apo gjyqësorit, që të kemi një bashkëpunim sa më të mirë, që agjenda e integrimit evropian, të mos stagnoj, tha ajo.
Hoxha ka folur dhe për ngecjet në zbatimin e MSA-së, për të cilat tha se janë të shumta.
“E kemi parë se disa nga ngecjet, janë në sektorin e arsimit, në sektorin e reformës së administratës publike, pastaj ndërlidhja e arsimit apo kurrikulave me tregun e punës. Aftësi profesionale që na nevojiten. Konkurrueshmëria e kompanive tona, produkteve tona në tregjet e ndryshme. Ka shumë ngecje të tjera, patjetër që ne duhet në vazhdimësi të fuqizojmë sundimin e ligjit”, tha ajo.
Sipas ministres Hoxha, duhet të ecim në reformat në sundimin e ligjit, ku në gjyqësor dhe prokurori, të kemi sa më tepër raste, ndërsa, rastet që kalojnë nëpër gjykata të shkurtohen.
Ajo në fund tha se të gjitha këto janë punë që duhet bërë nëse kemi konsensus.