Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u deklarua për raportin e Progresit që Komisioni Evropian pritet ta publikojë nesër. Hoxha thotë se ky raport nuk duhet të shihet vetëm nga një aspekt sepse në të pret që të përmenden edhe çështjet në të cilat ajo beson se ka pasur përmirësime.
Një ditë para se të publikohet Raporti i Progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, tha se Kosova dhe Bosnja nuk duhet të presin raport pozitiv për to.
Në një përgjigje dhënë Gazetës Express, Ministrja Hoxha, thotë se nuk duhet të shihet vetëm një aspekt të raportit të progresit.
“Kohëve të fundit kemi dëgjuar shumë deklarata lidhur me këtë, megjithatë konsideroj se nuk mund te flasim për raportin vetëm nga një aspekt. Raporti do të reflektojë punën që është bërë dhe do të ketë pjesën pozitive por mund të ketë edhe pjesë ku kërkohet më shumë punë”m ka thënë Hoxha për Gazetën Express.
Ministrja përmend edhe fusha të tjerë që, sipas saj, janë pozitive për vendin.
“Edhe reforma ekonomike po ndodh dhe jemi shumë të përkushtuar për realizimin e reformave substanciale ekonomike, përmirësimin e klimës së të bërit biznes si dhe rritjen e konkurrueshmërisë dhe luftimin e papunësisë”
Një pjesë të raportit të Progresit të cilën e ka siguruar Gazeta Express, ishin shprehur shqetësime të ndryshme për ngjarjet në Kosovë gjatë këtij viti. Ishte përmendur konstituimi i vonshëm i Kuvendit dhe formimi i vonshëm i Qeverisë, tentimi për të shfuqizuar Gjykatën Speciale.
E, Ministrja Hoxha, thotë se nuk pret që raporti të jetë kritikues.
“Nuk pres të jetë kritikues sa pres të jetë orientues, sigurisht se do të ketë pjesë pozitive sepse kemi shënuar progres dhe kemi punuar në drejtim të integrimit”, ka thënë Hoxha.
Gjatë ditës u raportua se në Raportin që do të dalë nesër nuk do të përmendër fare cështja e vizave. Hoxha vetë mendon se Kosova ka rritje pozitive në cështjen e liberalizimit të vizave.
“Mendoj se kemi të arritura në këtë proces dhe pres vlerësim pozitiv. Konsideroj se ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Kemi shumë zhvillime pozitive në proces andaj edhe jam optimiste që sivjet, nga fundi i vitit do të kemi liberalizimin e vizave”, ka përfunduar Hoxha.