Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq në lidhje me qëllimet e Serbisë në dialogun e brendshëm për Kosovën.
Hoxhaj ka thënë se nëse dialogu nuk çon drejt njohjes së Kosovës shtet i pavarur, atëherë ai është i destinuar të dështojë.
Hoxhaj ka thënë se nuk mund të flitet për normalizim marrëdhëniesh përderisa Serbia vazhdimisht organizon fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata dhe mekanizma ndërkombëtar.
“Ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq: nëse dialogu i brendshëm nuk ka për qëllim njohjen e pavarësisë së Kosovës, atëherë është i barasvlefshëm me dështimin. Dhe nëse Serbia vazhdimisht bën fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për çfarë normalizimi po flasim?”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Javëve të fundit, presidenti serb, Vuçiq ka bërë publike idenë për dialog të brendshëm në Serbi, për zgjidhjen e problemit me Kosovën, duke iu referuar një zgjidhjeje të përhershme, e cila u mirëprit në Kosovë si hap i parë drejt pajtimit në mes të shoqërive të të dy shteteve.