Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në Rubikon të KTV-së ka folur edhe për darkën private të ftuar nga Kadri Veseli, si dhe për idenë e bashkimit të Mitrovicës.
Ai thotë se nuk ka diskutuar me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri për idenë e tij për të bashkuar këtë qytet.
Megjithatë, ai ka theksuar se nuk ka koordinim për këtë temë.
“Nuk kam arritur të flasë me Bahtirin se si e ka menduar një proces të tillë. Por, derisa ne jemi në dialog duhet të shohim interesimin e qytetarëve, dhe mund të formojmë një mendim të prerë. Nëse ne duam që realisht ta kemi një politikë të mirëfilltë hapat e tillë duhet të jenë të koordinuara, dhe nuk kam dëgjuar se ka një koordinim të tillë as me kryeministrin, as me kryekuvendarin e as presidentin”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka përmendur edhe darkën e organizuar në Mitrovicë nga Kadri Veseli.
“Ajo ishte një darkë private, kurse atë e ka ftuar kryetari Veseli. E Bahtiri ishte i ftuar aty në darkë, por s’kemi diskutuar asgjë rreth kësaj”, ka thënë Hoxhaj.