Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se kjo parti nuk shantazhohet dhe se nuk do të lejojë që dikush ta marrë peng shtetin e Kosovës.
Këtë reagim Hoxhaj e ka bërë ndaj debateve të fundit mbi pozitën e presidentit të vendit, duke thënë se PDK-ja është e gatshme të ulet dhe të bisedojë me të gjitha partitë politike për tejkalimin e krizës institucionale, por ka bërë të ditur se kjo parti ka propozim për kandidat për president.
Ky është statusi i plotë i Hoxhajt:
Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejojë që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike paralamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.
Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptoj njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së!
Barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës por vetëm thellimin e saj.