Zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj informacioneve të publikuara në media gjatë ditëve të fundit, në lidhje me mundësinë e ndarjes së Kosovës, dhe shkëmbimit të territoreve.
Në një postim në rrjetin social twitter, Hoxhaj ka shkruar se kjo është një fushatë e Serbisë kundër Kosovës.
Kjo në prag të 10 vjetorit të pavarësisë, transmeton lajmi.net
“Serbia po e intensifikon agjendën propaganduese dhe sulmet ndaj Kosovës në prag të 10 vjetorit të pavarësisë”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka thënë se informacionet e tilla për ndarje territoresh janë lajme të rreme.
Hoxhaj thotë se kjo është një fushatë kundër të ardhmes euro-atlantike të Kosovës.
“Lajmet e rrejshme dhe kërcënimet hibride rreth ndarjes territoriale dhe ndryshimit të kufijve janë pjesë e një fushate sistematike kundër Kosovës dhe të ardhmes euro-atlantike të rajonit”, ka shkruar zv/kryeministri i Kosovës.
Ndryshe edhe anëtarë tjerë nga qeveria gjatë ditës e kanë mohuar se mund të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë.
Ndarjen e Kosovës e propozoi ditë më parë edhe ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin. /Lajmi.net/