Hoxhaj për mediumin kroat: Aleanca Kosovë- Kroaci t’ia pamundësojë Serbisë dominimin në rajon

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën e njohur dhe më të madhe kroate, “Jutarni List” ku ka folur për shumë zhvillime në Kosovë, në raportet me Serbinë, me Kroacinë dhe tema të tjera botërore.

I pyetur për raportet Kosovë-Kroaci, Hoxhaj ka thënë se ka një partneritet të shkëlqyer politik dhe Kosova e Kroacia duke bashkëpunuar nga afër e pamundësojnë kthimin e skemave të vjetra të dominimit serb në rajon.

“Kroacia është një partner i rëndësishëm politik i Kosovës dhe ne duam ta shndërrojmë atë në një partner të fuqishëm ekonomik. Është partner politik meqë ajo e mbështet integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, si dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Ne ndajmë edhe interesa të caktuara në politikën tonë rajonale duke qenë aleat me njëri-tjetrin dhe duke pamundësuar rikthimin e skemave të vjetra të dominimit serb të rajonit. Për këtë kemi një koordinim intensiv me Zagrebin sa i takon politikës rajonale por tash duam një vëmendje t’ia kushtojmë bashkëpunimit ekonomik. Kosova është vendi ideal për investitorët kroat për të investuar në Kosovë për shkak të simpatisë që kanë qytetarët e Kosovës për Kroacinë, një miqësie tradicionale në mes të dy shteteve dhe faktit që ne kemi ndër popullatën më të re dhe të kualifikuar në rajon”, ka thënë Hoxhaj.

Më tej, kryediplomati kosovar ka komentuar mundësinë e arrestimit të Presidentit Nikoliq dhe Kryeministrit Vuçiq pasi në vitet 90-ta kanë qenë në partinë e Sheshelit.

“Këto janë çështje të drejtësisë dhe vetëm drejtësia ndërkombëtare mund ta përcaktoj se në çfarë mase Nikoliq dhe Vuçuq janë përgjegjës për diçka të tillë. Por ne të gjithë e dimë rolin dhe funksionet që kanë pasur në regjimin e Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë dhe ideologjinë që ata kanë përhapur në fillim të luftërave në ish-Jugosllavi. Ju në Kroaci dhe ne në Kosovë e dimë se ata kanë qenë udhëheqës të formacioneve paramilitare në shumë zona të luftës në ish-Jugosllavi. Ne i mbajmë mend uniformat e veshura paraushtarake sikurse deklaratat më raciste të tyre. Duke pasur një të kaluar të tillë, ata ende nuk mund të lirohen nga realiteti i Kosovës së pavarur i cili duket se i ndjek nga pas si një fantazmë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka folur gjatë edhe për listën e gjatë të provokimeve serbe në muajt e fundit në raport me Kosovën duke e vënë në pikëpyetje edhe diaogun.

Po ashtu, edhe për qasjen e administratës së re të Trump në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë.

“Kosova vazhdimisht ka pasur mbështetjen e të dyja administratave, republikane dhe demokrate, në Amerikë. Mbështetja amerikane për Kosovën ka filluar me Presidentin e vjetër Bush, i cili në dhjetor të vitit 1992 kishte kërcënuar Millosheviqin që në rast të gjakderdhjes në Kosovë do të intervenonte ushtarakisht. Pastaj dihet vendosmëria e Presidentit Clinton për të parandaluar gjenocidin në Kosovë dhe për të mbështetur intervenimin e NATO-së. Së fundi, ishte presidenti Bush i riu i cili formësoi procesin për statusin final të udhëhequra nga OKB-ja sikurse edhe pas shpalljes së pavarësisë ishte vendimtar për ta njohur Kosovën. Të gjitha këto tregojnë që Kosova ka qenë një çështje mbi partiake në Washington dhe do të vazhdoj të mbetet e tillë”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Sipas tij, lidhja mes vendit tonë dhe SHBA-ve është e veçantë dhe, sipas tij, do të mbetet e tillë edhe me presidentin e sapoemëruar Donald Trump.

“Lidhja e Kosovës me Amerikën është e veçantë dhe do të mbetet e tillë me Presidentin Trump të cilit i dëshirojmë suksese në punën e tij. Kur fola për temën e trenit si provokim i Serbisë ndaj Kosovës dhe arrestimin e zotit Haradinaj në Francë, bëra përpjekje që të tregoj se si Serbia është faktor destabiliteti në raport me rajonin. Përveç Kosovës, kjo vërehet më së shumti edhe në raport me Bosnjën. Referendumi i mbajtur vitin e kaluar si dhe ngjarjet simbolike që u mbajtën para dy javësh në Banjallukë dhe prania e Presidentit serb Nikoliq atje, tregojnë që prapa një politike me ambicie territoriale qëndron edhe më tutje Beogradi. Dhe planet e tilla për ndarje të Kosovës, të cilat në të kaluarën janë promovuar qoftë nga shkrimtari Dobrica Qosiq po qoftë edhe nga ish-kryeministra serbë, tregojnë se ndarja ka qenë një skenar serb për Kosovën i cili për mendimin tim i takon të kaluarës. Mirëpo projekte të tilla nuk do të mbështetën as në Washington dhe as në Bruksel”, ka deklaruar kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme