Hoxhaj: Po merremi intensivisht me arrestimin e Nehat Thaçit

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, gjatë raportimit të tij para Komisionit për Punë të Jashtme, ka treguar për aktivitetet e ministrisë dhe prioritetet e MPJ-së.

Sipas tij, politika e jashtme fillon brenda vendit dhe ekzekutimi ndodh jashtë vendit.

Hoxhaj tha se këto katër muajt e fundit ka bërë përpjekje maksimale të ketë bashkëpunim me çdo institucion të Kosovës.

“Ky është një lloj gjysmë mandati i imi. Nuk mund të them se do të kem prioritete më të veçanta se ato që janë paraparë në planin qeverisës 2014. Në ditët e fundit në mënyrë intensive jemi marrë me arrestimin e Nehat Thaçit. Kemi bërë dhe do të bëjmë çdo përpjekje që Thaçi të lirohet sa më shpejt”, tha Hoxhaj, raporton KP.

Ai ka treguar se është formuar një Task-Forcë për ta mbështetur drejtorin e Policisë së Kosovës në Mitrovicë që është arrestuar nga policia serbe duke hyrë në Serbi.

Hoxhaj tha se në dy- tri javët e fundit ka një agjendë provokuese të Serbisë në rajon, ndërsa ka treguar po ashtu për ndalesën që i është bërë drejtorit të Zyrës serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Jemi të gatshëm që edhe në të ardhmen… nëse Gjuriq sillet në këtë formë të sillemi në mënyrë të njëjtë. Gjuriq gjatë vizitave nuk e përfill shtetin dhe policinë e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka kërkuar mbështetje nga institucionet e Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave.

Edhe Hoxhaj sikurse zyrtarët tjerë të Qeverisë ka deklaruar se kriter kryesor për liberalizim është demarkacioni me Malin e Zi.