Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një postimi në Tëitter ka thënë se vizita presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Gazimestan është e njëjtë me atë të Millosheviqit në Gazimestan më 1989.
Hoxhaj ka shkruar se imazhet e sotme nga Gazivoda janë imazhe të turpit dhe shovinizmit.
“Përsëris: Vuçiqi në Gazivodë njëjtë si Millosheviqi në Gazimestan më 1989! Imazhet nga atje janë imazhe të turpit dhe shovinizmit. Kjo është një dëshmi që EEAS po promovon politikën anti-evropiane në Ballkan. Unë isha kundër vizitës së tij në Gazivodë dhe ende e kundërshtoj fuqishëm”, ka shkruar Hoxhaj.
Kujtojmë se më 28 qershor 1989, në shënimin e 600 vjetorit të betejës së Kosovës ish-kryetari i Serbisë, i akuzuari i Hagës për krime lufte në Kosovë, Sllobodan Millosheviq kishte mbajtur një fjalim me të cilin paralajmëroi edhe luftëra për mbrojtje, siç thoshte ai, të serbëve në hapësirat e gjithë ish-Jugosllavisë, e më shumti në Kosovë.
Në atë manifestim që ishte kryekëput kundër shqiptarëve të Kosovës kishin marrë pjesë mbi 1 milion serb nga e gjithë Serbia.