“Në politikën amerikane të Donald Trumpit, nën sloganin ‘Amerika e para’, Kosova nuk duhet të pyesë vetëm çfarë ka bërë Amerika për Kosovën, por edhe çfarë Kosova mund të bëjë për Amerikën”.
Kështu e nis vështrimin e tij për ‘Huffington Post’ David L. Phillips, drejtor në Institutin për Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias në New York.
“Shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë. Ata nuk kanë pasur mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara”, shkruan tutje Phillips, duke thënë se Kosova nuk është ende stabile, pasi që 20 për qind e territorit të saj kontrollohet nga minoriteti serb, të cilët po kërcënojnë se do ta aneksojnë Mitrovicën nën modelin rus në Krime.
“Kosova gjithnjë ka pasur marrëdhënie të mira me SHBA-në. Pas fitores së Trump, një Rusi ‘e ringjallur’ dhe një SHBA e ndarë e fut Kosovën në rrezik”.
Tutje, autori i librit “Çlirimi i Kosovës; Diplomacia shtërnguese dhe intervenimi amerikan”, shkruan se ‘elita politike e Kosovës është e njohur për korrupsion’, përcjell Gazetametro.
“Disa prej zyrtarëve kosovarë mbajnë pozita zyrtare vetëm për tu mbrojtur nga persekutimi ligjor”, shkruan ai.
“Papunësia e Kosovës është 45 për qind, kurse punësimi tek të rinjtë është shumë më e lartë”.
“Rritja e ekstremizmit islamik është veçanërisht shqetësuese. Qindra kosovarë i janë bashkuar ISIS-it”, shkruan tutje David L. Phillips në ‘Huffington Post’, duke këshilluar që Kosova duhet të mbajë marrëdhënie të forta me administratën e Trump për të çuar përpara interesat e vendit.